Efektet e pandemisë në tremujorin e parë

Në tremujorin e parë të vitit 2020 investimet e huaja direkte janë ulur me 20% krahasuar me një vit më parë.

Përfundimi i disa veprave madhore në infrastrukturë si gazsjellësi Trans Adriatic dhe hidrocentrali i Devollit kanë ulur ritmin e investimeve nga jashtë, ndërsa situata e pandemisë së Covid-19 ka shtyrë planet e investimeve në shumicën e kompanive ndërkombëtare.

Kjo është hera e parë pas 5 vjetësh që Shqipëria ka rënie të investimeve të huaja në këtë masë, ndërsa në fund të 2019-ës arriti një rekord prej 1 miliard e 79 milionë Eurosh.

Për periudhën Janar – Mars të këtij viti investimet e huaja rezultojnë 227 milionë Euro nga 283 milionë  që ishin në të njëjtët muaj të një viti më parë.

Qeveria nga ana e saj ka marrë si nismë krijimin e zonave të lira ekonomike me qëllim thithjen e investimeve nga jashtë.

Së fundi, Këshilli i Investimeve Strategjike miratoi një zonë të lirë ekonomike me taksa të ulëta në Kashar, e cila do të zhvillojë industrinë në fushën e parqeve teknologjike dhe inovacionit.

Sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, efekti i pandemisë pritet që të ulë në 741 milionë Euro investimet e kompanive të huaja për këtë vit në Shqipëri, pas një rekordi mbi 1 miliard Euro që është vendosur vitet e fundit.

Tv Klan