Emocione të mëdha në sheshe, tifozët shqiptarë shpërthejnë në festë

Kalimi i Italisë në finalen e Euro 2020 u përjetua edhe në Shqipëri. Dihet që tifozët italianë janë të shumtë, për të mos thënë që zënë vendin e parë kur luajnë ekipet kombëtare. Dhe atmosfera ishte e zjarrtë pas përfundimit të penalltive, sidomos në Tiranë, Durrës e Vlorë, ku fansat kishin pushtuar sheshet kryesore.

Emocionet e gjysmëfinales drithëruese janë përjetuar më shumë në Tiranë, ku mijëra tifozë e kanë ndjekur përballjen në sheshin “Skënderbej”, duke pritur fitoren e kombëtares së zemrës në “skenën” e improvizuar të “Fan Zone”.

Në fund fati u buzëqeshi të besuarëve të Mancini-t, çka ndezi festën edhe në kryeqytetin e Shqipërisë. Siç mund të shihet nga pamjet, qindra të rinj valvitën flamurin trengjyrësh të Italisë dhe mbajtën të veshur fanellën e kaltër, pa harruar birrat dhe brohoritmat. Tifozët spanjollë ishin në minorancë, por asnjë incident apo episod konfrontues, thjesht festë dhe hare.

Klan News