Derisa Presidenti serb Aleksandar Vuçiç promovon sukseset e tij në fushatë nëpër Serbi, opozita dhe mijëra qytetarë në rrugët e dhjetëra qyteteve kërkojnë dorëheqjen e tij. Protesta është organizuar për të dhjetën herë dhe janë shtrirë në shumë qytete të Serbisë. Opozita serbe nuk dëshiron zgjedhje pavarësisht se Vuçiç është shprehur i gatshëm. Ata thonë se qeverisja e tij autoriteare po kthehet në diktaturë.

Shkrimtari Marko Vidojkoviç tha se nuk do ta besonte në vitin 1996 kur kishte protesta kundër regjimit atëherë, se ato do të nevojiteshin dy dekada më vonë.

“Unë nuk jam fans i varjes, por më shumë jam fans i burgut dhe punës në shërbim të qytetarëve. Nëse duhet mund të ndërtojmë edhe më shumë burgje, por duhet të dalim në rrugë sa herë të jetë nevoja”.

“Freedom House” në një raport e quajti Serbinë si vend gjysmë të lirë dhe e kritikoi pushtetin për shtim të kontrollit ndaj mediave. Këtë e mohoi qeveria, por protestuesit nuk janë të bindur dhe kërkojnë përgjegjësi.

Ata vazhduan tek televizioni publik serb për të protestuar për errësirën informative pasi besojnë se janë në shërbim të presidentit Vuçiç. Në fund, në drejtim të qeverisë thanë se janë gjithnjë e më shumë dhe frika nuk ekziston deri në largimin nga pushteti të atyre që i quajnë hajdut, uzurpator dhe tradhëtarë.

Tv Klan