Magjistratja: Kam vënë punën mbi familjen, do provohet që u bëra “kokë turku”

Pas publikimit te videove personale ne rrjetin social Tik Tok këshilli i lartë gjyqësore pranoi kërkesën e kryeinspektorit Artur Metani për të pezulluar nga detyra gjyqtaren Enkelejda Kapedani. Kjo masë disiplinore do të jetë në fuqi për gjatë gjithë procesit që do të zhvillohet ndaj Kapedanit në KLGJ.

Gjatë zhvillimit të seancës në KLGJ gjyqtarja e Elbasanit mes lotësh ngriti dyshime se videot u publikuan  për dëmtuar imazhin e saj.

Është e qartë se kjo situatë mori përmasa të tilla pasi ka qenë e qëllimshme, jo vetëm për të dëmtuar imazhin tim si femër, si motër, si vajzë, si nënë dhe si grua, por kryesisht në karrierën time profesionale. Të tilla reagime në media, publiku dhe institucionet nuk kanë pasur as kur gjyqtarët janë ndaluar për kryerjen e një vepre penale, apo korrupsion. Çfarë veprimi kaq denigrues ishte duke u shfaqur në video? Mos ndoshta isha duke kryer veprime të pahijshme në drejtim të dosjes, pelerinës, sallës së gjykimit apo ndonjë element tjetër që lidhet me profesionin? Mos vallë isha duke konsumuar cigare, alkool, drogë, apo ndonjë lëndë tjetër”, është shprehur Kapedani.

Enkeleda Kapedani para se keshillilli të vendoste për fatin e saj u kërkoi që të ishin të paanshëm në vendimarrje

Nëse unë Enkeleda Kapedani jam druri i shtrembër në sistemin e drejtësisë, përse atëherë asnjëherë nuk më është gjetur shkelje në dosje. Ndaj u deshën video jashtë orarit të punës për të shkatërruar gjithçka timen, për të më shkatërruar mua si nënë, si grua. Jam e bindur që e vërteta do dalë në dritë, që do provohet që u bëra “kokë turku” e atyre që nëpërmjet meje nuk arritën qëllimet e tyre. I lutem KLGJ-se të gjykojë gjakftohtë. Mos lejoni që ethet e klikimeve dhe bota e klikimit të fitojë mbi një gjyqtare që ka vendosur punën mbi familjen”, është shprehur Enkeleda Kapedani.

Gjyqtarja Enkeleda Kapedani kërkoi falje për sjelljen e saj ndërsa shtoi se videot janë bërë jashtë orarit zyrtarë të punës. Ndër të tjera ajo në fund hoqi dorë edhe nga posti i zëvendëskryetares së Gjykatës së Elbasanit.

Këshilli i lartë gjyqësor do të shqyrtojë në seancat në vijim edhe kërkesën tjetër të Kryeinspektorit Artur Metani për masën disiplinore shkarkim nga detyra për magjistraten Enkelejda Kapedani. ILD pretendon se ajo ka shkelur rëndë kodin e etikës me publikimin e videove të saj.

Klan News