Atletja Jepchirchir fitoi duelin me kenianen tjetër Kosgei dhe i dha vendit medaljen e artë të dytë radhazi

Atletja keniane Peres Jepchirchir fitoi medaljen e artë në maratonën për femra në olimpiadën e Tokio 2020.

Sportistja 27-vjeçare e fitoi duelin me bashkatdhetaren e saj Brigide Kosgei në mintuat e fundit dhe i dha vendit të saj medaljen e artë të dytë radhazi në këtë disiplinë.

Medalja e bronzit u fitua nga amerikania Molly Seidel, e cila garoi në maratonën e saj të tretë, ndërsa më parë ka garuar për distanca më të shkrutra.

Rekordmenia e botës Kosgei dhe kampionia e botës Ruth Chepng’etich kanë qenë favorite për ta fituar medaljen e artë.

Por në fund, suksesi i takoi dy herë kampiones së gjysmëmaratonës Jepchirchir, që krijoi diferencën në kilometrin e 40.

Ajo e përfundoi garën në kohën 2 orë 27 minuta 20 sekonda,  16 sekonda përpara Kosgei-t dhe 26 sekonda para Seidel-it.

Kenia i bashkohet Japonisë si dy shtetet e vetme që kanë fituar medalje të arta radhazi në event. Në total, atletet keniane i kanë dhënë shtetit të tyre 7 medalje dhe kryesojnë listën që kur maratona për femra u bë pjesë e Lojërave Olimpike në 1984.

Klan News