Korrigjimi i provimeve të Maturës Shtetërore do t’i besohet elektronikës. Lajmi u konfirmua për Tv Klan nga Ministria e Arsimit. Ky proces vlerësimi konsiston në skanimin e fletës së provimit nga kompjuteri për të nxjerrë rezultatet e pyetjeve me alternativa, i mbështetur nga korrigjimi manual që bëhet nga mësuesit për pyetjet me shtjellim.

Sipas Ministrise së Arsimit, metoda elektronike rrit efektivitetin në korrigjimin e provimeve dhe saktësinë e rezultateve.

Kjo formë e re vlerësimi ka kaluar në heshtje fazën e pilotimit në muajin Janar, ku morën pjesë 2000 nxënës nga gjimnaze të ndryshme të vendit. Ata ju nënshtruan provimeve të detyrueshme dhe me zgjedhje, për të konkluduar mbi qartësinë e pyetjeve, kohëzgjatjen e provimit dhe aplikimin e metodës vlerësuse.

Për herë të parë vlerësimi elekronik në Maturën Shtetërore u aplikua në vitin 2006, vetëm për provimet me zgjedhje. Kjo mënyrë nuk u zbatua më për shkak të ndryshimeve që ndodhën në përmbajtjen e pyetjeve, të cilat veç alternativave që kërkojnë përgjigje me “po ose jo”, shtuan edhe pyetjet me shtjellim. Ky ndryshim ndikoi edhe në mënyrën e vlerësimit, duke ju rikthyer vetëm vlerësimit manual. Aktualisht specialistë të arsimit, mësues dhe nxënës janë në fazën e konsultimit. Së shpejti pritet të dalin me vendimin përfundimtar.

Tv Klan