Nga protesta në protestë…, po cfarë kemi fituar?!

Nesër opozita mban protestën e rradhës kundër qeverisë dhe mbajtjes së zgjedhjeve lokale në 30 qershor me Edi Ramën kryeministër.Renaldo u është drejtuar qytetarëve me pyetjen: a quhemi ne popull protestues dhe cfarë kemi fituar me protesta në disa dekada tranzicion.

Baldushk, banorët bashkëjetojnë me derrat, institucionet ngrenë supet.

Banorët e Baldushkut i janë drejtuar emisionit “Stop” për problemin e ngritjes së një stalle derrash afër banesave të tyre. Ata thonë, se era është e padurueshme dhe uji është bërë i papërdorshëm. Po kështu nuk po munden të vadisin më as tokat, për shkak të cilësisë së ujit.

Banori 1: Jam banor i kësaj lagje dhe i jam drejtuar emisionit “Stop” sepse nuk kam gjetur zgjidhje tjetër. Ka 4 -5 vite që është ndërtuar kjo stallë derrash dhe sa vinë e shtohen derrat. Problemi qëndron se shkarkimi i ujërave të zeza derdhet në përrua, ka prishur ujin e pijshëm, përroin, ne vetëm atë kishim pa lekë. Blemë ujë për të pirë, ndërsa për tu larë kemi ujin e pusit. Nga ora 7-8 në mëngjes është një erë shumë e keqe dhe pasdite po ashtu është e njëjta situatë.

Banori 2: Jemi ankuar disa herë tek bashkia, tek komuna nuk kemi gjetur asnjë zgjidhje,. Thonë e kemi gjobitur po nuk ka ndodhur asnjë gjë. Më mirë të rrish në banjo sesa të rrish këtu. Nuk hapim dot dritaret.

Banori 3 :Kishim takim më administratorin dhe na thanë do merren masat, por nuk pamë asnjë ndryshim ka 5 vite. Mos te ketë aromë më, të mos derdhen ujërat e zeza në lumë sepse ne kemi puset aty. Këtu nuk bëhet fjalë të gjesh ujë të pijshëm.

Administratori i njësisë administrative Baldushk shprehet, se është në dijeni të shqetësimit të banorëve, por nuk ka kompetenca, për të zgjidhur situatën. Pasojat, sipas tij, janë helmuese, për shkak të ndotjes së ujit.

Administratori: Unë kam shkuar vetë fizikisht në terren. Nuk jetohet, se po flas si bashkëkatundari…,po nuk jetohet. Po përderisa shteti i ka dhënë leje, ca të të them unë tani..?!

Edhe institucionet përkatëse kanë kthyer përgjigje, sepse është e detyrueshme, brenda afatit 7-ditor duhet të kthejë përgjigje. Pra, unë i kam të gjitha ato. Edhe ato, që kanë inspektuar. Kanë inspektuar.

Gazetarja: Çfarë ndryshimi ka përgjigja e kthyer tani me atë të para dy viteve?

Administratori: Nga njëra palë thotë po, i plotëson kriteret, kushtet, që të funksionojë si biznes privat, por duke iu përmbajtur kritereve, që kanë marrë lejen e zhvillimit ose lejen mjedisore.

Gazetarja: Po, por ju e dini, që nuk i përmbahet kritereve.

Administratori: S’e di, se nuk jam unë specialist, nuk jam ekspert.

Gazetarja: Po pra po, por nga shqetësimet e banorëve dhe ngaqë ti ke qenë aty vetë.

Administratori: Mbase banorët kanë xhelozi.

Gazetarja: Kanë xhelozi për aromën, që vjen aty?

Administratori: Sepse nuk është vetëm kjo stallë derri. Po të kontrollosh në të gjithë Tironën, mund të ketë 500 të tilla.

Gazetarja: Ka, por janë larg qendrave të banimit.

Administratori: S’jam dakord!

Gazetarja: Mund të ketë, por mund të kenë marrë masa të tjerët po, por aty masat nuk më duken të marra.

Administratori: Pikërisht këtë po të them dhe unë. Unë si Ilir, si administrator, si banor i kësaj zone, si bashkëfshatar i këtyre banorëve. shqetësohem me shqetësimin e tyre. Po të ishte në vendin tim, po të isha në tagrin e heqjes së licencës, unë do e hiqja për këtë, që thoni ju për aromën, për ndotjen etj.

Eksperti, Sazan Guri shpjegon, se distanca më e vogël nga qendra e banimit duhet të ishte 300 m sipas standardit evropian, ndërsa këtu është 100 m.

Sazan Guri: Unë çuditem se si ka mundësi që jo vetëm Ministria e Mjedisit, por edhe eksperti që ka kryer një raport të tillë mjedisor, që do të thotë edhe vlerësim paraprak, por edhe formular B që tregon standardet dhe rregullat. Sepse distanca më e afërt me një stalle me 500 -600 krerë duhet të ishte jo mëpak se 300 metra ndërkohë aty është 100 metra. Kemi të bëjmë me aroma të shumta.

Në Agjencinë Rajonale të Shërbimit Veterinar, mjekja veterinere Dorina Qirko tregon, se rezultatet e inspektimit të fundit kanë qenë të këqija dhe janë pasuar me një gjobe prej 1 milionë lekësh si rezultatit i grumbullimit të madh te mbetjeve në një gropë skeptike. Ajo u shpreh, se nuk ishte në dijeni të ndotjes së ujit dhe erës së keqe, por me kërkesë të banorëve, do të bëhet një inspektim i dytë.

Dorina Qirko: Me marrjen e indicies nga njësia administrative Baldushk, ngritëm grupin e punës menjëherë për kontrollin e kushteve sanitaro -veterinare dhe nga inspektimi konstatuam prezencën në sasi më të madhe seç duhet të mbeturianeve të ngurta dhe të lëngta. Kjo përbën kundravajte administrative dhe për këtë ferma u gjobit me 1 milion Lekë dhe u lanë detyrat për largimin e mbeturinave, në mënyrën e duhur, pra largimin me autobot. Me një ankesë të dytë nga banorët ne do e inspektojmë sërish fermën.

Hiqen nga puna, fitojnë gjyqin e nuk marrin dot dëmshpërblimin.

Fenomeni i largimeve nga puna, si pasojë e rotacionit politik, i ka kushtuar shtetit shqiptar më shumë se 100 milionë, para që dalin nga xhepat e shqiptarëve. Rasti i radhës denoncohet nga Bukurosh Mani. Ai ka qenë punonjës në Ministrinë e Mjedisit nga viti 2006 në vitin 2013. Pas kësaj kohe, nuk iu përsërit kontrata, ndaj iu drejtua gjykatës, ku mori vendimin e dëmshpërblimit me 15 paga, ose mbi 8 milionë Lekë të vjetra, shumë të cilën nuk po e merr.

Bukurosh Mani, denoncues : Unë kam qenë punonjës në Ministrinë e Mjedisit, sot ministria e Turizmit dhe Mjedisit. Kam vazhduar punë në Prill 2006 dhe në vitin 2013 nuk mu përsërit kontrata sikurse bëhej dhe herët e tjera dhe mua mu duk sikur kishte një largim të padrejtë. I drejtohem gjykatave ku u zhvilluan dhe disa seanca gjyqësore dhe përfundimisht gjykatat me dhanë 15 paga e gjysmë dëmshpërblim. Duhet të merrja 8 milionë e pak. Pas shumë kërkesave u punësova që Qershor të 2017, në këtë ministri, por jo me pozicionin shofer, por në punonjës informacioni. Pas disa muajsh mu pezullua sërish paga mujore dhe i jam drejtuar gjykatës dhe deri më tani kam fituar Shkallën e Parë.

Një tjetër rast i largimit nga puna në mënyrë të padrejtë, është ai i Petref Hykës, ish-punonjës i parkut të autobusëve, i cili ka fituar gjyqin për 19 paga dëmshpërblim, plus sigurimet, po nuk arrin të marrë paratë.

Petref Hyka: Kam punuar në parkun urban, pranë Bashkisë së Tiranës. Në 2013 erdhën autobusët e rinj dhe na urdhëruan brenda 3 ditëve për të mbyllur autobusët. I mbyllëm, prisnim mos na çonin në punë dhe s’ka. Në vitin 2015 kam fituar gjyqin e formës së prerë për 19 paga, plus sigurimet, rreth 5 milionë e 200 mijë Lekë. Kam punuar në ndërmarrje për 7 vite. Kur do e marr atë të shkretë? Unë 70 vjeç vajta, më vonë nuk kam pse ta dua. Unë marr 20 mijë lek ilaçe në muaj, kam borxhet e dynjasë për të larë.