Opozita: Rritja e çmimeve zhvlerësoi pagat

Enti Shtetëror për Statistika njoftoi se në muajin Mars të këtij viti paga mesatare ka qenë 31.080 denarë apo 503.5 euro, 10.1% më shumë në krahasim me Marsin e vitit 2021.

Ky njoftim ka detyruar Kryeministrin Dimitar Kovaçevski që përmes një video-mesazhi t`u drejtohet qytetarëve të vendit.

“Krahas të gjitha obstruksioneve të opozitës dhe ligjeve të bllokuara për rritje të pagave, pagat vazhdimisht po rriten. Shumë pak njerëz besuan se do të kemi pagë mesatare prej 30.000 denarë. Ky premtim ishte kritikuar dhe nënçmuar, por me politika të qëndrueshme arritëm ta realizojmë”.

Kanë reaguar nga VMRO-DPMNE-ja. Opozita thotë se shumë pak njerëz kanë besuar se do të kemi inflacion dyshifror kurse vlera e 30.000 denarëve tani dhe para një viti nuk është e njëjtë.

“Çmimi i rrymës është rritur për 30%, i karburanteve 80%, buka dhe mielli 100%, sheqeri 40%, qumështi 50%, vaji i gatimit dyfish më i shtrenjtë. Pagat kanë humbur vlerën. Pyetja që duhet ta parashtrojnë në Qeveri është se sa vlerë kanë 30 mijë denarët tani, e sa kishin para një viti. Kovaçevski duhet të zbresë në mesin e popullit dhe ta sheh varfërinë në rritje”.

Përveç pagës mesatare është rritur edhe ajo minimale. Për 80.000 punëtorë në industri të ndryshme, paga e Marsit ka qenë 18.000 denarë ose 61.8% nga paga mesatare në vend.

Tv Klan