Lëvizja Socialiste për Integrim ka mbledhur Komitetin Drejtues Kombëtar për të diskutuar mbi zhvillimet më të fundit politike, apo siç e ka cilësuar kreu i kësaj partie Meta, pucin që 2 forcat e mëdha politike po i bëjnë të vegjëlve me kodin e ri zgjedhor.

Me tone të ashpra Meta ka vazhduar akuzat për Berishën e Ramën, të cilët sipas tij po kërkojnë të pengojnë integrimin e vendit, duke mos lejuar zhvillimin e zgjedhjeve të lira, pavarësisht se ato janë kusht kryesor për tu bërë pjesë e BE.

Ilir Meta: “Që të heqin dorë nga korrupsioni i tyre, Berisha në qeveri dhe Rama në bashki, kanë si shqetësim si të vjedhin votën e të gjithë shqiptarëve në vitin 2009. Ata po bëjnë provokimin më të madh në këto 18 vite në historinë e Shqipërisë. Duan ta shpallin demokracinë nul dhe të sillen me popullin shqiptar në mënyrën më arrogante dhe më përbuzëse.”

Edhe pse u bindur që LSI do të fitojë betejën me 2 forcat që kanë
shumicën në parlament, Meta nuk ka dhënë asnjë detaj sesi do të arrij të ndaloj demokratët dhe socialistët për të mos aplikuar kodin e ri zgjedhor në të cilin u vendos ulja nga 9 në 7 i anëtarëve të KQZ, duke i hequr LSI-së të drejtën për tu përfaqësuar me një anëtarë në këtë komision.

Pak ditë më parë Meta dhe krerë të tjetër të partive të vogla deklaruan se do të shkonin në greve urie për të penguar zbatimin e kësaj dispozite të kodit të ri elektoral./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka