Hetimi ndaj ministrit të jashtëm Lulzim Basha për çështjen e rrugës Durrës-Kukës ka ndezur sërish në Kuvend debatet mes mazhorancës dhe opozitës. 

Nga foltorja e parlamentit ish kreu i transporteve i është përgjigjur akuzave të socialistëve duke i cilësuar ato të pabaza me argumentin se në Shqipëri është rikthyer prokuroria politike dhe se dosja ndaj tij është stisur nga segmente të caktuara të organit të akuzës në zyrat e Edi Ramës.

Lulzim Basha: “Duket qartë se kemi të bëjmë me një përshkallëzim të një skenari, synimi i të cilit është padyshim politik. Është e qartë që ne kemi të bëjmë me një absurd, me një absurd të stisur në zyrat e Edi Ramës dhe fatkeqësisht të ndërmarrë si sulm nga një prokurori. Segmente të së cilës kanë rikthyer prokurorinë politike në Shqipëri.”

Në kundërpërgjigje të deklaratës së Bashës deputetet socialistë kërkuan largimin e tij nga funksioni i shefit të diplomacisë pasi sipas tyre ministri i jashtëm po e përdor këtë post për të mbrojtur aferat korruptive.

Arta Dade: “Rasti Basha është flagrant dhe i papranueshëm. Një anëtar qeverie, një zyrtar i lartë i shtetit vijon të përfaqësojë vendin tonë nga pozita e të akuzuarit për një abuzim financiar të jashtëzakonshëm.”

Debatet që shoqëruan seancën plenare të së enjtes vijnë një ditë pasi prokuroria e përgjithshme bëri zyrtarisht publike akuzat ndaj ish ministrit të transporteve Lulzim Basha./tvklan.al