Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Në vijim të takimeve të tij me elektoratin, ish-kryeministri Ilir Meta konsumoi këtë fundjavë në Pogradec, së bashku me deputetët Braho, Muçi, Legisi dhe Kaja. Ish-kryeministri Meta pohoi se janë zhvilluar takime me bazën socialiste, por nuk dha koment mbi ftesën e drejtuesve të partisë, për bashkëpunim disa ditë më parë.

Deputeti Meta tha, se qëndrimet janë bërë publike tashmë. Grupi i deputetëve të njohur si mbështetës të tij, apo të mendimit ndryshe brenda partisë, shprehen se për të shmangur divorcin me PS, po përdorin të gjitha hapësirat në forumet partiake, ku lejohen pas vendimeve të Kongresit të famshëm të Dhjetorit.

Limoz Dizdari: “Realisht ne flasim për gjëra të vërteta, prandaj unë s’kam pse të largohem përsa kohë që problemet nuk marrin zgjidhje. Unë s’kam për të heshtur për sa kohë ato probleme, të cilat i vlerësoj si të rëndësishme të drejta dhe objektive, vlera të mohuar të shoqërisë shqiptare, ato duhet të shkojnë tek interesi popullor. Unë me shumë se një pjesë tjetër e anëtarëve të partisë, jam nga ata njerëz që janë themelues të kësaj partie, nuk kam pse të iki”.

Ndre Legisi: “Ne i kemi të gjitha mundësitë që t’i themi gjërat dhe i kemi thënë në grupin parlamentar të PS. Mendoj që ne do të ecim akoma, në këtë drejtim, për të ndërgjegjësuar sa më shumë anëtarësinë e PS, lidhur me atë që çfarë kërkojmë ne dhe për të kërkuar zgjidhje brenda PS. Në momentet kur këto zgjidhje nuk gjenden dhe kur këto përpjekje nuk kanë kuptim, atëherë dhe ne do të gjejmë zgjidhje të tjera, të cilat do të jenë të justifikuara dhe nga elektorati jonë”./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj