Në pikën kufitarë të Kakvijës është mbajtur takimi për sigurinë e lojrave olimpike e organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe me praninë e ambasadorit të delegacionit evropian Salzmann si dhe ambasadorit grek në Shqipëri. Drejtori i përgjithshëm i doganave shqiptare Shpëtim Idrizi tha se për periudhën para dhe gjatë zhvillimit të lojrave olimpike janë hartuar programe të veçanta dhe të specializuara sipas sektorëve.

Në tre pikat kufitare me Greqinë masat konsistojnë në: sigurimin e shërbimit doganor 24 orë me maksimumin e personelit lokal të disponueshëm duke e përforcuar me personel shtesë, dyfishimi gjatë 24 orëve të personelit në pikat e kontrollit të udhëtarëve dhe mjeteve me të cilat ata udhëtojnë, dublimin e pranisë së grupeve të antikontrabandës në këto degë doganore e kufitare duke i dhënë detyrë parësore kontrollit të trafikut të udhëtarëve.

Shpëtim Idrizi: “Ne sot bëmë inspektimin në vend të gjithë masave që ka marrë shërbimi doganor shqiptar për të qenë partner dhe për të kontribuuar në sigurinë e lojrave olimpike “Athina 2004”. Siç edhe u demostrua në prani të zotit Salzmann dhe të ambasadorit grek, ne demostruam që të gjithë kapacitet administrative dhe logjistika e shërbimit doganor shqiptar, tashmë e përcaktuar shumë qartë, me rregulla dhe në bashkëpunim me policinë shqiptare, janë tashmë të instaluara.” /tvklan.al