Arkiva Lajme – Tv Klan 2000

Kryeministri Ilir Meta ka inspektuar sot rrugët që lidhin fshatrat në rrethet e Gramshit dhe atë të Skraparit. Meta ka përuruar rrugën e sapondërtuar nga Komuna e Skënderbegasit në atë të Tomorricës e gjatë 9 kilometra. Duke folur para banoreve të kësaj zona Kryeministri Meta tha se për zonat lokale Qeveria ka parashikuar të tjera investime.

Kryeministri Ilir Meta:- “Janë mjaft objekte që janë në proces, janë të tjera që do të fillojnë, një i tillë pritet që të jetë një kanal mjaft i rëndësishëm i Valamarit dhe po kështu do të shikojmë çdo mundësi në mënyrë që ato nevoja që kanë mbetur pa u plotësuar ti kemi në qendër të vëmendjes”.

Më pas Kryeministri ka përuruar urën me gjatësi 1.2 kilometra që lidh këto fshatra. Puna për ndërtimin e kësaj ure ka nisur në vitin 1993. Në bashkebisedim me Kryeministrin Meta fshatarët kërkuan furnizim të rregullt me uje të pijshëm dhe energji elektrike.

Gjatë udhëtimit me helikopter Meta ka vezhguar punimet e segmenteve të Koridorit 8. Syve të Kryeministrit nuk i kanë shpëtuar ndërtimet pa leje përgjatë plazhit të Durrësit. Prishja e nje pjese të ndërtimeve pa leje ka lënë pas mbeturina të cilat duhen lëvizur përpara se të nisë sezoni i ri veror./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame