Kërkohej nga Lazio, Napoli dhe Juve

Marash Kumbulla duket se e ka bërë zgjedhjen e tij. Qendërmbrojtësi i Veronës pritet të shkojë tek Inter. I ndjekur nga Lazio dhe nga Juventus, futbollisti i kombëtares shqiptare ka vendosur pas këshillimeve edhe të menaxherëve të tij.

Mediat italiane raportojnë se mbetet për t’u ndërmarrë hapi vendimtar, por operacioni është në rrugën e duhur. Më 26 ndeshje këtë sezon, mbrojtësi ishte prej kohësh objektiv i skuadrave më të mëdha italiane.

Trajneri Conte dhe drejtuesit e klubit zikaltër e kishin piketuar si përforcimi i parë, në qendër të repartit difensiv në projektin e sezonit 2020-2021. Marrëveshja mes palëve ka avancuar.

Inter parakalon konkurrencën e Lazio, që tentoi seriozisht dy muaj më parë, kur u gjet edhe akordi me futbollistin, mbi një kontratë prej 5 vitesh me 1.5 milionë euro në sezon. Me Veronën ishte diskutuar për 26 ose 27 milionë euro.

Por paraqitja e 20-vjeçarit rriti kërkesat e klubit verdheblu. Tashmë thuhet se Verona kërkon 30 milionë euro për shqiptarin.

Mesa duket këtë shifër e përballon Inter. Me gjasë Kumbulla ka qenë dakord të shkojë në skuadrën e Conte edhe pse vetë është tifoz i Milan.

Tv Klan