Fitore të Belgjikës, Francës dhe Portugalisë

Anglia u dorëzua përballë Danimarkës të mërkurën në Londër për javën e katërt të Ligës së Kombeve. Sfida e luajtur në Wembley përfundoi me fitoren 1 – 0 të miqve.

Goli u shënua nga Eriksen me 11-metërsh. Danezët u favorizuan edhe nga fakti që anglezët mbetën me 10 lojtarë, pasi Maguire u largua nga fusha pas kartonit të kuq të marrë në minutën e 32’. Belgjika u konfirmua kryesuese e grupit me fitoren 2 – 1 në fushën e Islandës që mbetet pa pikë dhe zbret në Divizionin B.

Lukaku ishte protagonist me 2 gola për belgët. Italia barazoi 1 – 1 me Holandën në Bergamo duke humbur vendin e parë në grup. Një rezultat që favorizoi Poloninë që u ngjit në vendin e parë. Suksesi 3 – 0 me Bosnje-Hercegovinën në shtëpi u udhëhoq nga Lewandowski. Sulmuesi polak shënoi 2 gola dhe dha asist për tjetrin.

Franca fitoi edhe sfidën e kthimit me Kroacinë. Takimi i luajtur në Zagreb u mbyll me rezultatin 2 – 1. Përfaqësuesja franceze e ndan kreun me Portugalinë.

Përfaqësuesja portugeze, edhe pse pa Cristiano Ronaldo që mungonte për shkak të infektimit me Covid-19, triumfoi 3 – 0 me Suedinë në Lisbonë. Në këtë grup gara për vendin e parë mbetet vetëm mes Portugalisë dhe Francës.

Tv Klan