FIFA harton planin, futbollistët më pak sorollatje me avionë

Projekti për të mbajtur një Kupë Bote çdo dy vite vazhdon të promovohet nga FIFA pavarësisht kundërshtimit nga shumë organe, mes të cilëve dhe UEFA. Organi më i lartë i futbollit botëror e ka pasqyruar projektin e tij në dokumente të ndryshme, në mënyrë që të bindë shoqatat të marrin pjesë. Trupa e kryesuar nga Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino mendon se zbatimi i planit do nisë në vitin 2025, me idenë që do ketë një Kupë Bote një vit më vonë dhe në 2028.

Fazat kualifikuese për këto turne të mëdha do të organizoheshin ndryshe nga ato aktuale. Ideja e FIFA-s është që të ketë sfida të shumta të kombëtareve brenda një muaji, ndryshe nga katër etapa vjetore që praktikohen edhe sot. Gjithashtu, FIFA mbështet projektin e saj me një studim që, sipas këtij organi, tregon se lojtarët do të kishin shumë më pak lodhje. Përshembull, futbollistët e kontinentit nga Amerika Qendrore dhe e Veriut përshkrojnë rreth 377 mijë kilometra për të qenë me klubin dhe me kombëtaren. Por me idenë e FIFA-s, kjo do ulej në 155 mijë kilometra.

Shifra të përafërta do ketë edhe me ata të Amerikës së Jugut, ndërsa ndryshimin më të madh do kenë lojtarët nga kontinenti aziatik. Nga 316 mijë kilometra, ylli koreano-jugon, Heung Min-Son me shokë do përshkruanin rreth 190 mijë kilometra. Më pak kilometra do përshkruanin edhe futbollistët europianë, afërsisht 2 mijë kilometra më pak nga ajo që përshkojnë sot, teksa lojtarët nga kontinenti afrikan do të arrinin nga 200 mijë në 125 mijë kilometra. Pra më pak xhiro me avionë dhe fokus më i madh tek mbrojtja e ngjyrave të kombëtares.

Klan News