Haradinaj i gatshëm për bashkëpunim me Kurtin

Fitorja bindëse e Vetëvendosjes është pranuar nga partitë e tjera të mëdha në Kosovë, që në zgjedhjet e parakohshme të së dielës arritën ndër nivelet më të ulëta të mbështetjes popullore në historinë e tyre që prej themelimit. Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, paralajmëroi se nuk do të përfshihet në negociata pas-zgjedhore me Vetëvendosjen.

“PDK-ja nuk do të jetë pjesë e qeverisë me Lëvizjen Vetëvendosje, pasi që kemi dallime të mëdha në orientimet tona politike dhe nuk bëjmë kompromis me vlerat mbi të cilat është ndërtuar dhe në të cilat qëndron PDK-ja”.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës do të qëndrojë tashmë në opozitë, ndërsa kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti mori përsipër përgjegjësinë për rezultatin e dobët.

“E marr përgjegjësinë e plotë për këtë rezultat zgjedhor të LDK-së… Në emër të LDK-së ne do të jemi mbrojtës të pa kompromis të demokracisë dhe të orientimit properëndimor, duke qenë opozitë konstruktive në interes të shtetit të Kosovës”.

Humbjen e pranoi në Facebook edhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa, i cili tha se partia e tij do t’i nënshtrohet se shpejti riorganizimit. Ndërsa kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj u shpreh i hapur për bashkëpunim me Vetëvendosjen.

“Pas zgjedhjeve jemi deklaruar që nuk kemi vija të kuqe. Ne jemi të interesuar që të arrijmë një bashkëpunim me forcat politike që duan të arrijnë 2/3-at për të formuar institucionet”.

Haradinaj ka shprehur më herët ambicien për të qenë president i republikës së Kosovës, post i cili kërkon mbështetjen e 2/3-ave të deputetëve.

Tv Klan