Robert Lewandowski është shpallur “Futbollisti i Vitit i Gjermanisë”, ndërsa Thomas Tuchel si trajneri më i mirë për sezonin 2020-2021. Ky është sezoni i dytë radhazi për Lewandowski-n që shpallet fitues si lojtari më i mirë.

Sulmuesi polak e fitoi çmimin për herë të parë në sezonin 2019-2020, si një nga protagonistët e Bayern që siguroi tripletë në trofe atë sezon. 32-vjeçari ishte në gjendje të mbante të njëjtat standarde të larta edhe në sezonin e fundit duke dalë përpara Thomas Muller dhe Erling Haaland.

Lewandoëski mori 315 vota përpara shokut të ekipit, në vendin e dytë, Muller; dhe 318 vota përpara “hajmalisë” së Borussia Dortmund, Haaland. Këtë sezon sulmuesi polak arriti të thyejë rekordin e Gerd Muller, duke shënuar 41 gola në një kampionat nga 40 gola të rekordit të legjendës gjermane.

Thomas Tuchel e fitoi çmimin për trajnerin e vitit të Gjermanisë duke kaluar Hansi Flick dhe Edin Terzic. Ish-trajneri i Borussia Dortmund udhëhoqi Chelsea-n drejt fitimit të Champions League, pasi zëvendësoi Frank Lampard në Janar.

Klan News