Ish-Kryeministri Sali Berisha zhvilloi një takim ditën e sotme me demokratët dhe intelektualët në qytetin e Shkodrës.

Takimi u zhvillua në Pallatin e Sportit të qytetit dhe u krye me rastin e 31-vjetorit të themelimit të degës së PD-së në Shkodër.

Disa ditë më parë, Sali Berisha tha se nuk do të ketë më Foltore, por takime në qytete të ndryshme të vendit.

Berisha: Basha është turpi i dheut, e pret vrima e miut

Ish-Kryeministri Sali Berisha po zhvillon një takim me demokratë dhe intelektualë në Shkodër. Gjatë fjalës së tij lideri historik i demokratëve iu bëri thirrje demokratëve që mbështesin sadopak Lulzim Bashën që të heqin dorë nga ai sepse ai “është turpi i dheut”. Të njëjtën thirrje, Berisha e pati edhe për deputetët ndërsa shtoi se Bashën e “pret vrima e miut nga ky revolucion që nuk ka të ndalur”.

“Nuk ka ndodhur dhe nuk ndodhin kurrë në një vend të lirë zhvillime të tilla. A mundet një shtet të servirë për opozitë njeriun që e rrethon me banditë dhe policë, njeriun me të cilin ndan aferat korruptive, njeriun me të cilin i mbyll dosje krimi? Kjo s’mund të ndodhë në asnjë vend tjetër përveçse në Shqipëri. Iu drejtohem atyre demokratëve që akoma në mënyrën më të pabesueshme dëshmojnë mbështetjen më të vogël për “Lulzim Bravën”. Hiqni dorë prej tij, hiqni dorë se ai është turpi i dheut, është turpi i historisë. U them deputetëve të Shkodrës, bashkohuni një minutë e më parë me qytetin tuaj. Bashkohuni me sakrificën vuajtjen, qëndresën, heroizimin, vizionin e atyre që ju votuan ju. Ndahuni nga “Lulzim Brava” se atë e pret vrima e miut nga ky revolucion që nuk ka të ndalur. Askush nuk ka të drejtë. Askush nuk ka të drejtë të luajë me plurazmin politik në Shqipëri”, tha Berisha.

Berisha: 8 Janari, vetëm fillimi. Ju jap fjalën që protestat tona nuk do të ndalen deri në fitore

Sali Berisha tha nga Shkodra, aty ku zhvilloi një takim këtë të dielë, se revolucioni që ka nisur është i pandalshëm dhe paqësor. Ai u dha fjalën demokratëve se 8 Janari është vetëm fillimi dhe se protestat nuk do të ndalen gjer në fitore. Sipas Berishës, demokratët më 8 Janar nuk kërkonin asgjë tjetër veçse që të nxirrnin banditët që i kanë pushtuar shtëpinë.  

“Ky është një revolucion paqësor, por është revolucion i pandalshëm. Demokratët më 8 Janar nuk kërkonin asgjë tjetër, por atë që do bënte çdo polici e një vendi të lirë, të nxirrnin nga shtëpia e tyre banditët që i ishin pushtuan shtëpinë. Cili është ai qytetar që sheh shtëpinë të mbushur me banditë dhe nuk lufton për nxjerrjen e tyre nga shtëpia. 8 Janari është vetëm fillimi, ju jap fjalën unë ju, protestat tona nuk ndalen deri në fitoren tonë. Ata të cilët mbështesin Edi Ramën dhe Bashën për të marrë peng pluralizimin do të dështojnë. E ardhmja është e jona, e burrave dhe grave që luftojnë për dinjitet njerëzor dhe kombëtar”, tha Berisha.

Berisha tha ndër të tjera se ai dhe demokratët nuk do ta japin kurrë PD-në dhe nuk do të shkelmojnë interesat e Shqipërisë.

“Mos kini mëdyshje, kurrë ne nuk japim pluralizmin, kurrë nuk japim demokracinë, kurrë nuk japim PD-në, kurrë nuk shkelmojmë interesat e Shqipërisë. Ndaj dhe ju ftoj, nga kjo ditë, flakën, dritën e këtij revolucioni ta çojmë në çdo vatër shqiptare, të rikthejmë dhe njëherë fitoren plebishitare të vitit ’92”, u shpreh Berisha.

I riu “ndez” demokratët në Shkodër, surprizohet Sali Berisha

Ka qenë një i ri që ka ekzaltuar gjithë demokratët e pranishëm në Pallatin e Sportit në Shkodër, aty ku është duke zhvilluar një takim Sali Berisha. Mekeid Selmani, student gazetarie, gjatë fjalës së tij tha se revolucioni i PD-së është paqësor dhe nuk do të ndalet asnjëherë.

“Revolucioni jonë paqësor nuk ndalet, asnjëherë. Jo vetëm që nuk ka të ndalur, por nuk do të tërhiqet asnjëherë deri në çlirimin e Shqipërisë nga kjo klikë sorosiane”, tha ndër të tjera i riu.

Këto fjalë të Selmanit u duartrokitën nga të gjithë të pranishmit, ndërkohë që edhe lideri historik i demokratëve duket se ka mbetur i surprizuar.   

“Bravo”, duket të thotë Berisha teksa flet studenti.

Sali Berisha ndodhet në Shkodër për të zhvilluar një takim me demokratët dhe intelektualët e qytetit. Ky takim përkon edhe me 31-vjetorin e themelimit të degës së PD-së në Shkodër.

Berisha: Sot Rama kontrollon më shumë pushtete se Ramiz Alia

Ish-Kryeministri Sali Berisha po zhvillon një takim me demokratë dhe intelektualë në Shkodër. Gjatë fjalës së tij lideri historik i demokratëve tha se Edi Rama ditën e sotme kontrollon më shumë pushtete se diktatori i fundit komunist, Ramiz Alia.

“Jemi mbledhur në këtë stadium, jemi mbledhur po kaq shumë dhe me një vendim epik i kemi thënë JO rebelimit komunist, jemi ngritur në këmbë dhe kemi marshuar të pamposhtur në të drejtë tonë për rivendosjen e demokracisë në Shqipëri. Sot, mblidhemi në momentin më kritik të 30 viteve të fundit. Sot ne takohemi këtu së bashku kur bastardët e bllokut ish-komunist kanë vendosur një monizëm, kanë vendosur në Shqipëri një monizëm shumë më të plotë se në vitin 90-91. Sot Edvin Rama kontrollon pushtete, shumë më tepër se Ramiz Alia, diktatori i fundit komunist në vitin ‘91. Ai kontrollon sot narkoekzekutivin, narkoparlamentin, narkodrejtësinë. Me një akt makabër, ai vendosi në kontroll kreun e opozitës shqiptare. Jemi para një situatë të cilin vetëm revolucioni juaj, vetëm guximi dhe vendosmëria juaj do t’i japë përgjigjen më të merituar”, tha Berisha.

Berisha hodhi akuza ndaj Ramës se shkel interesin kombëtar.

“Me aleancën trilaterale vendos Kosovën në një darë armiqësore, shtetin e ngritur mbi martirizimin e shqiptarëve. Sot kemi një narkokryeministër i cili në 7 muaj me aeroplan privat personal shpenzon 2.2 mln Euro udhëtime, që të gjitha pa asnjë interes, për asnjë shqiptar përveç validetin e tij. Sot kemi një narkokryeministër i cili ka vendosur ligje konfiskime pronash me të njëjtat standarde si në vitin ‘6.Sot kemi një narkokryeministër i cili me një akt armiqësor mori peng, kapi për zverku me korrupsion dhe metoda të tjera njeriun që së bashku e mbështetëm me të gjithë zemër, me të gjithë energjinë dhe forcën tonë, “Lulzim Bravën””, tha Berisha.

Berisha nderon Ramazan Rragamin, legjendën e futbollit që ndërroi jetë në moshën 77–vjeçare

Ndarja nga jeta në moshën 77–vjeçare e ish-futbollistit dhe ish-trajnerit të Vllaznisë Ramazan Rragami nuk ka lënë pa u kaluar gjatë takimit të Sali Berishës në Shkodër.

Lideri historik i demokratëve mbajti një minutë heshtje në nder të legjendës së futbollit.

“Për të shprehur nderimin ndaj tij, një minutë heshtje. I përjetshëm kujtimi i Ramzan Rragamai atdhetarit të flaktë, qytetarit që u ndje gjithë jetën e tij krenar me Shkodrën dhe shkodranët”, tha Berisha.

Ramazan Rragami vuante nga një sëmundje e rëndë. Ai ka qenë edhe një lojtar i Kombëtares në vitet 60’-70’. Si trajner, Rragami drejtoi edhe Përfaqësuesen Shpresa në Europianin e 1983 që mbërriti deri në çerekfinalet e turneut. /tvklan.al