“Të kuqtë” duan të realizojnë goditjen e radhës në merkato, të marrin me kosto zero yllin argjentinas

Liverpuli ka nisur bisedimet me yllin e Juventusit Paulo Dybala për një transferim të mundshëm në verë. “Të kuqtë” nuhasin një ujdi të mirë, e duan të përfitojnë nga fakti që 28-vjeçarit i përfundon kontrata në fund të sezonit.

Një marrëveshje me bardhezinjtë për rinovimin është shumë larg.  Drejtuesit e klubit anglez gjykojnë se argjentinasi do ta forconte edhe më shumë ekipin dhe kanë kontaktuar me përfaqësuesit e futbollistit.

Sipas mediave italiane, sulmuesi është i hapur për të vazhduar karrierën në “Anfield Road”, ndërkohë që është përcaktuar një tjetër takim me drejtuesit bardhezinj në muajin e ardhshëm.

Por një tjetër ekip që ka shfaqur interesim për Dybalan është edhe Interi. Trajneri i “Zonjës së Vjetër” Massimiliano Allegri deklaroi se dëshira e tij ishte që 28-vjeçari të mos largohej. Sulmuesi argjentinas është pjesë e bardhezinjve prej shtatë sezonesh.

Në këtë vit futbollistik, Dybala ka shënuar 13 gola dhe ka dhënë 4 asiste në 23 takime të luajtura.

Klan News