“Kovaçevksi do të zyrtarizojë largimin te Presidenti”
Përpara formimit te qeverisë teknike në Maqedoninë e Veriut, e cila do të merret me organizimin e zgjedhjeve parlamentare të 8 Majit, duhet të kalohet në disa etapa.
Procedurat ligjore i shpjegoi Kryeparlamentari Talat Xhaferi, i cili është propozuar për të marrë postin e Kryeministrit të qeverisë tranzitore.
“Nesër është dita D për dorëheqjen time dhe të qeverisë. Pasi të dorëhiqet kryeministri, ai duhet ta njoftojë presidentin e shtetit se qeveria është në dorëheqje, të autorizojë nënkryetarin e Parlamentit që të udhëheqë seancën plenare dhe të dorëzojë dorëheqjen time”, tha Xhaferi.
Më pas do të kalohet në etapën tjetër atë të propozimit të kandidatit për kryeministër.
“Duhet të njoftohet Presidenti se kush është i mandatuari për postin e kryeministrit. Më pas presidenti thërret të propozuarin dhe i jep mandatin për formimin e qeverisë”.
Pjesë e qeverisë teknike është dhe partia më e madhe e opozitës, VMRO-DPMNE. Ajo ka shfaqur rezerva sa i përket caktimit të një shqiptari në postin e kryeministrit, ndërsa ka paralajmëruar votë kundër.
Sakaq Presidenti Stevo Pendarovksi bëri thirrje që partitë e te dyja kampeve të sheshojnë polemikat dhe të shmangin krizën politike dhe t’i hapin rrugë formimit të qeverisë teknike.
Tv Klan