Mjekë e infermierë në Hong Kong në protesta për koronavirusin

Qindra punonjës në një spital në Hong Kong janë ngritur në grevë duke kërkuar mbylljen e të gjithë kufijve me Kinën për shkak të përhapjes së koronavirusit.

Sipas asaj që raporton BBC në Hong Kong janë pezulluar shërbimet hekurudhore ndërkufitare dhe tragetet. Autoritetet janë shprehur se mbyllja totale e kufijve do të shkonte në kundërshtim me këshillat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Deri tani janë 15 raste të konfirmuara me koronavirus në Hong Kong.

Winnie Yu, drejtuesja e Autoritetit të Punonjësve të Spitalit është shprehur se nëse kufiri me Kinën nuk do të mbyllet plotësisht, atëherë Hong Kongu është shumë i rrezikuar nga koronavirusi.

Nëse nuk merren masat e duhura atëherë të gjithë mjekët edhe infermierët do të zgjasin periudhën e grevës nëse kërkesat tyre nuk plotësohen.

Që nga shfaqja e virusit në qytetin e Wuhan epidemia e koronavirusit ka prekur 24 vende, 17.392 raste janë të konfirmuara të infektuar vetëm në Kinë, 487 njerëz kanë dalë nga spitalet pas shërimit dhe 21.558 raste janë të dyshuara si të prekur nga virusi vdekjeprurës.

24 provinca dhe bashki në Kinë kanë shtyrë rinisjen e aktiviteteve ekonomike dhe prodhuese deri në 10 shkurt nga  frika e infeksionit të koronavirusit. Ndërkohë është ngritur edhe spitali në Wuhan që do të merret vetëm me personat e infektuar nga koronavirusi.

Klan Plus