Mes  2169, objekteve të kultit që u shkatërruan nga regjimi komunist në vitin 1967, ishte edhe Kisha e Shën Nikollës në fshatin Lin të Pogradecit.

E ngritur në majë të një shkëmbi, edhe banorët më të vjetër nuk dinë të tregojnë një datë të saktë të ndërtimit të saj. Ndoshta kisha ka qenë aty edhe më përpara se fshati të ndërtohej, thonë ata. Pas shkatërrimit nga komunistët, në themelet e kishës së Shën Nikollës u ndërtua ky bunker, nga i cili ruhej bregu i liqenit, duke qenë ky vend është pika fundore dhe më e lartë e gadishullit të Linit.

Por pas viteve ’90, me ardhjen e demokracisë dhe rikthimin e lirisë së besimit,  banorët e Linit u rikthyen përsëri këtë vend të shenjtë.

Nga një vend lufte, ata e rikthyen përsëri këtë bunker në një vend paqeje. Në muret e bunkerit ku dikur mbaheshin arkat me fishekë, banorët kanë vendosur ikona shenjtorësh. Shtratin prej çeliku ku dikur ishte vendosur mitralozi, për të vrarë ata që tentonin të shkelnin kufirin, sot besimtarët e kanë kthyer në një vend ku ndezin qirinj, dhe i luten zotit për paqe./Klan Plus