2019-a nis me ndryshime në kupolën drejtuese të Policisë së Shtetit. Sandër Lleshaj pak kohë pasi mori drejtimin e Ministrisë së Brendshme, ka emëruar Tonin Vocajn drejtor të Departamentit të Policisë Kriminale. Vocaj rikthehet në detyrat e rëndësishme të uniformave blu pas një periudhe kohe i mënjanuar në Akademinë e Sigurisë.

Me detyrën e re, Vocaj merr gradën Drejtues i Lartë. Departamenti i Policisë Kriminale drejtohej nga Eduart Merkaj që tashmë është emëruar drejtor i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin i cili mbahej nga Aida Hajnaj që tashmë do të jetë vetëm zëvendësdrejtoreshë e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Ndryshimet në këto dy poste të rëndësishme u komunikuan nga zv/ministri i Brendshëm Besfort Lamallari dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Burime nga Ministria e Brëndshme bëjnë me dije se në javët në vazhdim pritet të ketë edhe lëvizje të tjera në nivele të larta të Policisë së Shtetit, por edhe në rang drejtorësh në qarqe. Sandër Lleshaj mori detyrën e ministrit të Brendshëm në Nëntor të vitit të kaluar, pas dorëheqjes së Fatmir Xhafajt që e drejtoi këtë ministri për më shumë se një vit e gjysëm.

Tv Klan