Raportim Live
20:50, 24 Korrik 2024

Drafti i PS-PD për Reformën Zgjedhore miratohet, vetëm Alibeaj kundër

Pas rreth 5 orësh diskutime është miratuar draft i dakordësuar PS-PD për Reformën Zgjedhore në Komisionin e Ligjeve. E vetmja votë kundër Reformës Zgjedhore ka qenë ajo e Enkelejd Alibeaj.

Në bazë të këtij drafti, është miratuar që 2/3 e listës zgjedhore të deputetëve të jetë e hapur dhe emigrantët shqiptarë të votojnë përmes postës. Pritet që ky draft t’i kalojë parlamentit për votimin të premten në seancë plenare.

20:00, 24 Korrik 2024

19 pro votës së diasporës, Alibeaj kundër

19 pro votës së diasporës, Alibeaj kundër

Drafti për ndryshimet në Kodin Zgjedhor për votimin e diapsorës është miratuar nga shumica e anëtarëve në Komisionin e Ligjeve, përveç Enkelejd Alibeajt: 19 vota pro, në raport me 1 kundër.

Enkelejd Alibeaj: Ishte votë kundër trajtimit të diasporës si kavje eksperimentale. Pazar për ta lënë diasporën pa votuar dhe për t’i ngritur pengesa. Me votën nuk mund të bëhet eksperiment. Nuk do ta votoj. Kam zgjedhur një metodë tjetër që e gjithë diaspora të votojë pa pengesa, pa gjoba dhe pa taksa në mënyrë të plotë dhe me garanci.

18:41, 24 Korrik 2024

Alibeaj: Ky është pazar i dy partive politike

Alibeaj: Ky është pazar i dy partive politike

Deputeti Enkelejd Alibeaj: Produkti i dy partive politike është qartësisht një pazar që nuk merr përsipër asgjë nga interesi publik. Pazar me votën e shqiptarëve unë nuk bëj. Juve mbani qeverinë, e gëzoni, pjesa tjetër mban opozitën. Ky sistem që kemi është sistem i lëpirjes së menderes së kryetarit. Të kemi sistem të lëpirjes së menderes së qytetarit.

Bie ndesh në mënyrë flagrante me ndryshimin kushtetues që bëtë ju vetë, po ktheheni te Kushtetuta e 2008.

E fundit, hi syve diasporës është mirë të mos ja bëjmë. Zgjidhja që kam propozuar, është që shteti shqiptar do të duhet të paguajë t’ja u çojë votën atje. Pasi të regjistrohen emigrantët shqiptarë me një klik pa qenë të detyruar të kenë rezidencë diku, shteti shqiptar i çon makineritë e votimit atje.

Vota ime është totalisht kundër.

18:39, 24 Korrik 2024

Majko: Përgëzime për negociatat, por nuk është marrëveshje

Majko: Përgëzime për negociatat, por nuk është marrëveshje

Deputeti Pandeli Majko: Unë mendoj që në kushtet politike në të cilat ndodhemi, kjo që ka ndodhur sot është një gjest që duhet lavdëruar. Nuk kemi të bëjmë me marrëveshje, kemi të bëjmë me zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ne thjesht po gjejmë një zgjidhje të shpejtë për këtë emergjencë kushtetuese që kemi. Kam fjalët më të mira për mënyrën se si është negociuar. Unë i takoj pjesës që nga koeficienti u preka, isha ndër 10 deputetët më të votuar në Tiranë, dhe bazuar mbi sistemin shkova në shtëpi. Por nuk u qarravita. Në këtë status psikologjik që janë dy palët, mendoj që të kalojmë në votimin dhe kalimin në seancë plenare. Është një ngjarje shumë e rëndësishme, sidomos vota e shtetasve tanë jashtë vendit.

18:33, 24 Korrik 2024

Bylykbashi: Të përballen 2 kandidatë të forcave të ndryshme

Bylykbashi: Të përballen 2 kandidatë të forcave të ndryshme

Oerd Bylykbashi: Kur njëra është e mbyllur, ajo nuk votohet, por votohet partia. Nëse do të kishim mundësinë që sistemin e vitit 2020-ës, i 2008-ës ka vdekur atë ditë kur u shkul koalicioni. Më mirë të jetë përballja ballë për ballë, një kandidat me një kandidat tjetër të forcave të ndryshme. Sot ka dalë renditja në indeksin e integritetit të zgjedhjeve, renditet në mënyrë skandaloze në raport me indeksion 36, hyjmë tek zona e kuqe. Sa kohë që nuk kemi bërë Reformën Zgjedhore në bazë të rekomandimeve të ODIHR, nuk kemi bërë dot. E ka bllokuar kjo mazhorancë dhe çdo rezultat tjetër do të vuajë nga kjo histori.

18:31, 24 Korrik 2024

Gjiknuri: Jemi të gatshëm të financojmë votim/numërim elektronik në 5 qarqet më të mëdha

Gjiknuri: Jemi të gatshëm të financojmë votim/numërim elektronik në 5 qarqet më të mëdha

Damian Gjiknuri: Sistemi 1/3, 2/3, ne nuk e dimë si do sillen aktorët. Ju e neglizhoni dividentin politik. Unë jam për sistemin e herësit. Vota e partisë është vota që përfaqëson këtë që quhet listë e mbyllur. Për votimin/numërimin elektronik, mazhoranca është e gatshme që deri në 5 qarqet më të mëdha të financojë votim/numërim elektronik. Po të doni e bëjmë.

18:05, 24 Korrik 2024

Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka: Nisma e z.Gjiknuri shqyrtohet në të njëjtën ditë me të gjitha nismat e tjera. Është depozituar në datë 8 Korrik, ka bërë kohën e mjaftueshme që të futet në shqyrtim. Bashkërelatorët marrin nismat, i caktojnë dakordësinë me njëri-tjetrin, bëjnë tabelën, ja çojnë komisionit dhe në fund dalin me një version. Sot ju ka ardhur në email një dokument zyrtar që ju thotë ky është versioni i depozituar, sugjerimet e relatorëve, ato do diskutohen. Nuk ka lidhje me draft të ri apo draft të vjetër.

18:00, 24 Korrik 2024

Enkelejd Alibeaj: Nga ana e PS, z.Gjiknuri ka depozituar në administratën e Kuvendit një pr/ligj në datën 8 Korrik. Ai pr/ligj është futur në procedurë legjislative. Sot, tani para 1 ore e 13 minutash në adresën email ka ardhur ky dokumenti tjetër dhe me ç’dëgjova është përsëri një propozim i relatorit. Unë kam një pyetje. Kjo është një iniciativë e re e depozituar sot? Është amendament ndaj asaj të Damian Gjiknurit? Kjo është shkelje e Kushtetutës? Sepse këto pr/ligje synojnë të ndryshojnë një kod, një ligj me 84 vota. Pr/ligjet për të ndryshuar një ligj me shumicë të përforcuar nuk mund të kalojnë me procedurë të përshpejtuar, nëse është synimi që pasnesër të kalohet në seancë plenare. Pse po e them? Për ta dokumentuar që nëse është kështu ky është një defekt kushtetues që kush të ketë në mendje për ta çuar në Gjykatë Kushtetuese, të paktën ta dokumentoj që sot.

17:58, 24 Korrik 2024

Gjiknuri: 1/3 e listave zgjedhore të jenë të fiksuara, pjesa tjetër e hapur për konkurrim

Deputeti socialist, Damian Gjiknuri thotë se ka paraqitur në emër të mazhorancës një model liste që bazohet në parimin e pragut. Teksa në Komisionin e Ligjeve diskutohet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Gjiknuri thotë se i qëndrojnë parimit kushtetues që 1/3 e listave zgjedhore të jenë të fiksuara dhe pjesa tjetër të jetë e hapur për konkurrim.

Damian Gjiknuri: Unë paraqita dhe në emër të mazhorancës një model liste që bazohet në pjesën më të madhe të vendit, siç është parimi i pragut se siç ka prag për partitë, ka edhe për kandidatët. Pse për partitë nuk e quajmë diskriminim, kurse për kandidatët e quajmë?

Nisur nga propozimet dhe nga ekspertët për të gjetur një variant, i cili është afër variantit kushtetues, menduam t’i qëndrojmë parimit kushtetues që 1/3 e listës të jetë listë e fiksuar dhe pjesa tjetër të jetë e hapur për konkurrim. Ky është një parim i sistemit paralel. Praktikisht, ne po kalojmë në zona shumëemërore, kuadre mazhoritare.

Jemi me të njëjtat parime që ka qenë kushtetuta e mëparshme, thjesht këtu balancohet gati 40-50%. Pra do të thotë që po të vësh re, 80 mandatet mund të jenë plotësisht në lojë të hapur, pjesa tjetër është e fiksuar në baza të renditjes së partive. Ligji zgjedhor duhet të jetë uniformë.

17:56, 24 Korrik 2024

Kodi Zgjedhor/ Gjiknuri: Vota nga jashtë ka të gjitha mundësitë që të realizohet

I pranishëm në këtë komision është edhe Damian Gjiknuri, i cili është shprehur se janë të gjitha mundësitë që të realizohet vota nga jashtë. Gjatë fjalës së tij, Gjiknuri tha se në draft propozohet që të ketë mundësinë për të votuar çdo shqiptar që ka qëndruar në një shtet të huaj më shumë se 3 muaj.

Damian Gjiknuri: Krijuam më shumë fleksibilitet. E bëmë procesin më me integritet dhe transparencë. Sistemi më i thjeshtë. Ne kemi gati 40% të elektoratit jashtë vendit. Kemi një draft ku sigurohet dhe transparenca se kush është votues nga jashtë.

Çdo njeri që qëndron më shumë se 3 muaj, ka të drejtën e votës nga jashtë. Në KQZ do të numërohen votat. Tavolinat për qarqet përkatëse. Ne i numërojmë paralel votat edhe ata të emigrantëve. Ky proces është super teknik dhe transparent. Mos kini merak. Nuk ka nevojë të krijojmë trupa mbi trupa. Ky sistem garanton integritet, transparencë dhe llogaritje.

Gjërat teknike ja kemi deleguar KQZ-së, nuk ka pse të merret parlamenti me detaje. Procesi duhet të jetë i pranuar nga të gjithë. Unë e quaj një sukses atë që e garantuam në 2020, i ka të gjitha shanset të realizohet vota nga jashtë. Kësaj radhe kemi siguruar transparencë të procesit.

Duhet mbështetja politike. Do të ishte një shans i humbur për Shqipërinë që të mos e realizonim pasi kemi bërë të gjithë këto përpjekje. Kemi vetëm një detyrë që ta mbështesim publikisht njëzëri.

17:28, 24 Korrik 2024

Komisioni i Ligjeve, miratohet drafti i PS-PD për ndryshimet në Kodin Zgjedhor

Komisioni i Ligjeve, miratohet drafti i PS-PD për ndryshimet në Kodin Zgjedhor

Komisioni i Ligjeve është mbledhur për të diskutuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor.