Gjykata e Durrësit lë në burg të tre fëmijët e Pëllumb Metës

Hygerta Meta ndryshon sërish qëndrim. Para trupit gjykues ka deklaruar se ishte ajo që vrau babanë dhe jo vëllai. I pari u që mor në pyetje nga gjyqtarja, ishte vëllai i madh, Hysen Meta. Ai theksoi se, vrasësi i babait ishte motra.

Hysen Meta: Të flasi ai që e ka bërë. Nuk e kam bërë unë vrasjen. Unë kam qenë prezent. Motra e ka qëlluar babain jo unë. Me babain kishim marrëdhënie jo shumë të mira. Kam qenë i hutuar dhe i tronditur ndaj thashë që e kam bërë une. Më ka ardhur keq dhe jam tronditur.

Pas Hysenit dëshmoi Hygerta e cila tregoi të gjitha dinamikën e krimit.

Hygerta Meta: Unë e dija që kishte armë dhe dija momentin kur vinte nga puna. Erdhi babi nga puna dhe u shtri për të pushuar, ishte me kurriz. Mora armën dhe ja tregova babit. Më tha ku shkon me atë armë. I thashë çohu në këmbë, e qëllova pas kësaj. Isha 2 metra larg. Jam penduar, por nuk ka kthim pas.

Studentja 19-vjeçare i tha gjykatës se nga frika e policisë, vendosi që fajin t’ja lë vëllait të madh. Mbajti të njëjtin qëndrim përsa i përket konflikteve. Tregon se shkaku kryesor i sherrit, ishte fejesa me zor. Nga sherret vajza tregon se babai ka tentuar të vriste dhe nënën në kuzhinë.

Hygerta Meta: Konflikti ka nisur që në dhjetor. I thashë jo për fejesën. Kisha frikë se nga refuzimi i fejesës, do më vriste. Ai preu bomblën e gazit dhe nuk e rregulloj. Ne fund të janarit më tha sërish për fejesën. Me tha se ju nuk keni për të bërë hajër ne këtë shtëpi, kishim frikë.

Ndërsa vëllai i vogël, Amarildo Meta deklaroi para gjykatës se nuk ka qenë në dijeni të krimit. Pasi dëgjoi dëshmitë e tre të akuzuarve, gjykata vendosi t’i lërë në burg.

Për bashkëshorten e viktimës hetimet vazhdojnë në gjendje të lirë. Ajo është shpërngulur nga Shënavlashi në banesën e familjarëve në Lac. Blerina Meta dyshohet se ka kryer veprën “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Klan News