Edhe në protestën e katërt para Bashkisë së Tiranës, aleanca për mbrojtjen e teatrit dhe opozita nuk i ndalën hedhjen e molotovëve.

Ndonëse nisi në mënyrë paqësore, sendet dhe molotovët u hodhën gjatë fjalës që po mbahej nga pjesëmarrësit, duke rrezikuar jetën e efektivëve të policisë.

Ndryshe nga protestat e tjera, forcat e policisë ndërhynë më shpejt me fikse zjarri.

Përfaqësuesit e opozitës, vijuan kërkesën për dorëheqjen e kryebashkiakut Veliaj të cilin e akuzojnë për korrupsion së bashku me zyrtarët e tjerë të institucionit.

Gjatë protestës që zgjati 120 minuta, protestuesit e drejtuar nga sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike Flamur Noka dhe anëtarët e Këshillit Bashkiak tentuan të futeshin brenda bashkisë nga dera anësore.

Pati disa përpjekje për të çarë kordonin e policisë, por nuk ia arritën qëllimit.

Pas kësaj përplasje, protestuesit u tërhoqën me paralajmërimin për të zhvilluar protestën e radhës javën e ardhshme.

Me largimin e protestuesve, para bashkisë së Tiranës, mbërritën ekspertët e policisë. Sheshi para bashkisë u kthye në vendngjarje, ndërsa oficerët e policisë mblodhën provat.

Para nisjes së protestës, policia shoqëroi dy persona, të cilët ishin në kërkim për hedhjen e molotovëve në protestat e shkuara. Ata u arrestuan para se t’i bashkoheshin protestës së të premtes.

Klan News