Interpelanca urgjente me Edi Ramën, për investigimin e televizionit Rai 3 në Itali, nuk do të ndodhë aq shpejt sa kërkon opozita.

Kërkesës së grupit parlamentar të PD, Edi Rama iu përgjigj në rrjetin social X, ku shkruan se nuk ka asnjë urgjencë për një interpelancë të tillë.

Edi Rama: S’ka asnjë urgjencë për një poshtërim të radhës të parlamentit të Shqipërisë me një interpelancë të kërkuar nga autorët e prapaskenës së asaj shfaqjeje të shëmtuar në dëm të krenarisë legjitime të çdo shqiptari për Shqipërinë, e në radhë të parë të shqiptarëve që jetojnë me nder e krenari sot në Itali, pasi kanë kaluar një kalvar të tërë poshtërimesh nga artikuj, emisione e gjasme investigime të tilla në të shkuarën e errët të shtypit italian e sidomos të RAI-t ndaj Shqipërisë.

Prioritet për kreun e qeverisë shqiptare, është që e vërteta të thuhet njëherë italisht.

Edi Rama: Të mbarojmë njëherë punë me ata andej dhe të thuhet e gjithë vërteta në italisht, pastaj patjetër do t’u vijë radha edhe këtyre këtej, se kjo histori nuk është fare aq e thjeshtë sa duket dhe shqiptarët padiskutim meritojnë ta dinë të gjithën, sapo të tëra petët e këtij lakrori me plehra të jenë hapur deri në fund.

Në këtë postim të gjatë, nuk ka kursyer akuzat ndaj opozitës, pasi sipas tij janë fabrikuesit e të pavërtetave të publikuara në televizionin italian.

Edi Rama:Çfarë t’u thuash këtyre që i gatuajnë shpifjet në shtëpi të tyre, pastaj i hedhin nga dritarja si akuza, pastaj u fryjnë si era plehrave që shpërndaheshin larteposhtë rrugë më rrugë kur këta, mos o Zot, qeverisnin vendin, pastaj vënë kujën pse u ndotën rrugët e bëra pis prej tyre e i thonë miletit çohu se u qelb kjo punë, pastaj i fusin në thasë plehrat më të bukura e ia hedhin në kurriz çdo të huaji që u del përpara dhe kur ndonjë i huaj që ka mbetur pa e marrë vesh çfarë malli janë këta vulëhumbur, i nxjerr në rrugë andej si thagma të ububushme, këta i riimportojnë në Shqipëri!

Në kërkesën për interpelancë, PD kërkon shpjegime për shqetësimet e paraqitura në investigimin e emisionit italian, si dhe ndërhyrjen e pretenduar të kryeministrit Rama te drejtuesit e televizionit.

Klan News