Mbështetje për negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Brukseli ka dhënë sinjale të reja se ka ndërmend të përshpejtojë zgjerimin e BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor, çështje që do të diskutohet gjatë samitit që do të mbahet me liderët e Ballkanit Perëndimor, në 6 Tetor në Slloveni dhe në paketën e zgjerimit që publikohet po ashtu në fillim të Tetorit. Presidenca sllovene ka përpiluar një deklaratë ku thuhet se liderët e BE-së e vlerësojnë përkushtimin e partnerëve nga Ballkani Perëndimor ndaj perspektivës evropiane, që është në interes strategjik dhe mbetet një zgjidhje e përbashkët strategjike.

Në draft përsëriten kërkesat ndaj rajonit për respektimin e parimeve të demokracisë, sundimit të ligjit, lirisë së mediave, shoqërisë civile, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të drejtat e pakicave dhe kritereve të tjera të cilat janë parime themelore të BE-së.

Po ashtu, sipas këtij dokumenti, do të kërkohet nga vendet e rajonit që të vazhdojnë të përshtatin qëndrimet e tyre dhe politikën e jashtme me qëndrimet e përbashkëta të BE-së. Krahas mbështetjes për nisjen e shpejtë të negociatave me Tiranën dhe Shkupin nga ky samit, pritet të shprehet mbështetje e plotë për përpjekjet e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialog Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Në dokumentet e samitit konfirmohet se BE do të mbështesë planet për vaksinim për të gjithë partnerët, në mënyrë që të ndihmojë që niveli i vaksinimit të jetë i ngjashëm me atë të BE-së, deri në fund të vitit 2021. Këto lëvizje do të paraprihen nga samiti rajonal në kuadër të procesit të Berlinit që zhvillohet më 14 Shtator në Tiranë nën kujdesin e Kancelares gjermane në largim Angela Merkel.

Një samit i ngjashëm është mbajtur në Sofje më 2019, pastaj një samit virutal në Zagreb më 2020, ndërkaq më 2022 planifikohet të mbahet edhe një samit gjatë kryesimit të Çekisë me presidencën e BE-së.

Klan News