Pesë vjet pas aneksimit të Krimesë dhe në mesin e një krize të thellë ekonomike, ukrainasit ia besojnë fatin e vendit një komediani.

Aktori komik 41-vjeçar mori 30.2 % të votave, thuajse dyfishin e presidentit aktual Petro Poroshenko. Jashtë garës për në raundin e dytë të 21 prillit, mbeti ish-kryeministrja Julia Timoshenko.

Volodimir Zelenski triumfoi në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, duke i dhënë një shuplakë të fortë establishmentit politik, në një kohë kur Ukraina kërcënohet gjithnjë e më shumë nga ndikimi i Rusisë. Ai është një kandidat modern, nuk jep shumë intervista, por komunikon me njerëzit përmes rrjeteve sociale. Kjo ka tërhequr shumë të rinjtë, shpjegojnë analistët politikë. Në karrierën prej komediani, Zelenski është spikatur në një serial, ku për ironi, luante pikërisht rolin e presidentit të Ukrainës.

Krahas Ukrainës, një rezultat surprizë këtë fundjavë prodhuan edhe zgjedhjet  presidenciale në Sllovaki. Për herë të parë në Europën Lindore në krye të vendit vjen një grua. Avokatja pro-europiane Zuzana Kaputova fitoi zgjedhjet me një shumicë të qartë.  Zgjedhja e saj rrit shpresat e forcave liberale, përballë rritjes së ndjeshme të frymës populiste në prag të zgjedhjeve të Parlamentit Europian në muajin Maj.

Tv Klan