Pakujdesia gjatë punimeve të restaurimit është pista kryesore në të cilën janë përqendruar hetimet për djegien e katedrales 850-vjeçare të Notre Damit në Paris. Mediat franceze shkruajnë se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një shkëndijë e krijuar nga përdorimi i pajisjeve elektrike në majën e katedrales. Dyshohet që zjarri të ketë nisur pikërisht në atë pjesë të çatisë, për t’u përhapur më pas në gjithë ndërtesën.

Kreu i Prokurorisë së Parisit, Remi Hetiz tha se ka angazhuar një numër të madh prej 50 hetuesish për t’u marrë me atë që konsiderohet si çështje tepër komplekse.

Sipas mediave franceze, tenderin prej 5.8 milionë eurosh për restaurimin e katedrales ikonë të Parisit e kishte fituar një firmë e vogël e quajtur “Vëllezërit Le Bras”. Drejtuesi i firmës është Julien Le Bras, 32-vjeç, ky që shihni në këtë foto.

Ai ishte ndër të parët që u morën në pyetje nga prokurorët për këtë ngjarje. Le Bras citohet të jetë shprehur se në momentin kur shpërthyen flakët, në çatinë e katedrales ndodheshin 12 punonjës të firmës së tij. Por ai shprehu garancinë se kushtet e sigurisë teknike nuk ishin shkelur.

Ndër objektet që i kanë shpëtuar flakëve është kryqi i altarit dhe statujat poshtë tij që datojnë në vitet 1700, ku tregohet momenti i zbritjes së trupit të Krishtit nga Kryqi, po ashtu edhe një statujë e Virgjëreshës Mari që mban në krahë Jezu Krishtin.

Presidenti francez Emmanuel Macron ndoqi nga afër të gjithë operacionin për shpëtimin e Katedrales.

Bashkë më Notre Dame u dogj edhe një pjesë e jona

, tha Macron.

“Këtë Katedrale ne do ta rindërtojmë, të gjithë bashkë. Që nesër do të ndërmarrim një angazhim kombëtar, edhe përtej kufijve tanë, do t’i bëjmë thirrje talenteve më të mëdhenj, që janë të shumtë. Ata do të vijnë të kontribuojnë dhe ne do ta rindërtojmë Notre Damin, sepse këtë presin francezët, këtë meriton historia jonë”.

Vetëm në orët e para të mëngjesit, familjet e pasura franceze njoftuan mbledhjen e mbi 500 milionë eurove për rindërtimin e Notre Dame.

Tv Klan