Një 44-vjeçare është arrestuar pasi akuzohet se ka vrarë vjehrrën e saj duke e qëlluar me thikë. Ngjarja ka ndodhur gjatë natës në fshatin Burrim, Dibër. Blutë e qytetit kanë vënë në pranga 44-vjeçaren Miranda Markja, e cila ka qëlluar për vdekje 74-vjeçaren Nazmie Markja.

Gruaja fillimisht ka plagosur vjehrrën e moshuar, e cila si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në banesën e tyre në zonën e Maqellarës, ku viktima dhe autorja jetonin së bashku.

Sipas burimeve mësohet se ngjarja ka ndodhur për shkak të debateve që kanë patur kohët e fundit.

Debatet agravuan deri sa nusja mori thikën dhe e goditi vjehrrën fillimisht në fyt. Më pas ajo e ka qëlluar dhe dy herë të tjera me thikë në bark e kraharor.

Ngjarja e rëndë është njoftuar nga të afërmit e familjes Markja, të cilët kanë telefonuar menjëherë policinë. Gruaja ka pranuar para uniformave blu krimin, ndërsa si shpjegim për vrasjen e vjehrrës ka dhënë debatet e vazhdueshme që çuan deri në konfliktin e fundit.

44-vjeçarja dhe vjehrra 74 vjeçe e saj jetonin vetëm në shtëpi, pasi bashkëshorti dhe dy djemtë e autores jetonin jashtë vendit.

Klan News