Të ftuar: Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu; gazetarët: Jonida Shehu, Blendi Salaj

A do të vaksinohemi çdo vit për Covid-19?

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, ndërsa ka folur për vaksinimin, ka ritheksuar se Covid-19 është i paparashikueshëm.

E ftuar në studion e “Opinion”, ajo ka thënë se nuk është ende e qartë nëse do të jetë e nevojshme të vaksinohemi çdo vit, pasi vaksinat janë ende në studim e sipër.

Gjithashtu ministrja u shpreh se nuk dihet se sa mund të zgjasë imuniteti i krijuar nga vaksinat aktuale.

“Janë duke punuar kompanitë, por nëse na ka mësuar diçka kjo pandemi dhe ky virus është që Covid-19 është i paparashikueshëm. Sigurisht që nuk mund të themi sot nëse do të ketë një rivaksinim apo sa do të zgjasi imuniteti i krijuar nga vaksinat aktuale sepse janë akoma në studim e sipër”, deklaroi Manastirliu.

Manastirliu: Synojmë 1 milion vaksinime brenda Qershorit, në fund të Majit rivlerësojmë lehtësimin e masave

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e ftuar në emisionin Opinion duke folur për procesin e vaksinimit tha se objektivi i ri është kryerja e 1 milion vaksinimeve brenda muajit Qershor.

“Ditën e parë të vaksinimit masiv unë e mas me datë 28 Mars kur kemi filluar vaksinimin masiv sepse ai konsiderohet si fillimi i fushatës së vaksinimit masiv. Dhe aty më pas futemi në ritemet reale të vaksinimit ku janë mbi 10 mijë në ditë që ne vaksinojmë. Dhe me këto ritme ne vaksinojmë mbi 300 mijë në muaj. Ne synojmë që të arrijmë objektivin 1 milion vaksinime brenda muajti qershor”, tha Manastirliu.

Duke folur për lehtësimin e masave, Manastirliu tha: “Do të bëjmë një rivlerësim të masave në fund të muajit maj dhe nëse do të jemi në këto trende besoj do të kemi lajme të mira”./tvklan.al

Shqipëria del nga zona e riskut, a do t’i rikthehemi jetës pa kufizime? Si përgjigjet Manastirliu

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu thotë se prej ditës së diel, Shqipëria ka dalë nga zona e riskut sa i përket situatës pandemike. Por a do të thotë kjo se do t’i rikthehemi jetës pa kufizime? Në studion e “Opinion”, Manastirliu thotë se kjo është dëshira e të gjithëve, përfshirë edhe e saj, që masat të vijnë duke u lehtësuar. Megjithatë ajo shprehet se kjo do t’i mbetet gjykimit dy javor.

“Do t’i mbetet një gjykimi dy javor, pra është e vërtetë që Shqipëria, ashtu sikurse edhe institucionet prestigjioze, si institucioni Robert Koch, e ka deklaruar që Shqipëria ka dalë nga zona e riskut dhe prej ditës së djeshme në fakt ne kemi dalë nga zona e riskut. Që do të thotë që kemi një incidencë të ulët. Sigurisht dalja për Gjermaninë do të thotë që ky është një vlerësim përtej BE-së, sepse dalja nga zona e riskut do të thotë që Shqipëria, ashtu sikurse edhe vende të tjera që janë radhitur krah Shqipërisë, janë vende që kanë një incidencë të ulët, pra nën 50 raste të infektimeve në 100 mijë banorë në 14 ditët e fundit”. 

“Kjo do të thotë që ne kemi një situatë të kontrolluar të epidemisë në vend dhe që aktualisht, jo vetëm numrat e incidencës, por edhe situata në spitale, dhe rastet e fatalitetit kanë ardhur në ulje dhe do thotë që pandemia në Shqipëri është e kontrolluar. Dëshira që të gjithë kemi, është që padyshim të kemi një lehtësim të masave të mëtejshme. Duhet të kuptojmë që Shqipëria përgjatë gjithë kësaj kohe ka patur masa të shënjestruara, nuk kemi patur izolime totale. Mos harrojmë që Europa, vendet e rajonit kanë qenë totalisht të izoluara, ndërkohë që ne me masat e shënjestruara që kemi ndërmarrë vetëm përgjatë 5 muajve, 10 javë në këto muaj e pak, jemi në një situatë shumë më të mirë”, tha Ministrja.

Si do të lëshohet pasaporta e gjelbër e vaksinimit

Ndërsa vendet e Bashkimit Europian po shqyrtojnë vendimin për pasaportat e vaksinimit, edhe në Shqipëri do të jetë i mundur lëshimi i tyre pas marrjes së dozës së dytë të vaksinave.

E ftuar në “Opinion”, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu theksoi se pavarësisht vendimit të unifikuar të Komisionit Europian, secili shtet do të ketë vendimmarrjen e vet lidhur me pasaportat e gjelbra.

Më tej ajo u shpreh se formati i këtyre pasaportave për vendin tonë do të merret në mënyrë individuale nga portali e-albania

“Pritet një vendim nga vendet e BE-së, është një rekomandim i Komisionit Europian për të patur një certifikatë të gjelbër, por secili vend pavarësisht vendimit të unifikuar të Komisionit do të ketë vendimmarrjen e vet. Është duke u diskutuar. Në dijeninë time Italia ka filluar ta elaborojë dhe në datën 15 Qershor do ta prezantojë. Pra edhe vendet po marrin kohën e tyre sa i përket pasaportave të vaksinimit. Pasaporta jonë e vaksinimit do të jetë një format i cili do të lëshohet në mënyrë individuale pas dozës së dytë nga e-albania”, deklaroi Manastirliu.

Sa është kostoja nga pandemia? Manastirliu tregon shifrën

Qeveria shqiptare ka bërë një përllogaritje të kostove të shkaktuara nga pandemia. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha nga emisioni “Opinion” se kjo shifër i tejkalon 60 milionë Euro dhe llogaritet vetëm në raport me buxhetin e shtetit.

“Ka një përllogaritje apo ka një vlerësim makro në raport me buxhetin i cili është vendosur… po flasim për shpenzime shëndetësore dhe sistemin shëndetësor dhe tejkalon 60 milionë Euro”, tha ministrja.

Manastirliu u shpreh se qeveria ka shfrytëzuar të gjithë ndihmat që ka marrë nga KE për pandeminë.

A do të jetë Manastirliu sërish ministre në qeverinë e re të Ramës?

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ishte e ftuar këtë të hënë në emisionin “Opinion” ku foli rreth situatës së pandemisë në vendin tonë dhe çfarë pritet të ndodhë gjatë sezonit turistik.

Ministrja u pyet nga gazetari Blendi Fevziu nëse do të jetë sërish ministre e Shëndetësisë në qeverinë e re të Ramës pas fitimit të zgjedhjeve të 25 Prillit. Manastirliu tha se ky vendim i takon kryeministrit ndërsa u shpreh se është e dedikuar që të çojë deri në fund përgjegjësinë që ka.

Blendi Fevziu: A keni biseduar dhe a do jeni sërish ministre e shëndetësisë në qeverinë e re Rama?

Ogerta Manastirliu: Kjo është vendimmarrje e kryeministrit.

Blendi Fevziu: Prandaj ju pyeta a keni biseduar me të.

Ogerta Manastirliu: Unë jam e dedikuar dhe fokusuar atë çoj deri në fund përgjegjësinë që kam sepse qeveria është deri në muajin Shtator. Vijon të ushtrojë funksionet e veta. Ne nuk kemi kohë për pushim, ky është një tagër që i takon kryeministrit për të zgjedhur qeverinë për të çuar përpara punët për aty ku ne duam ta shohim Shqipërinë në majë.

Blendi Fevziu: Ju do të donit të ishit sërish në të njëjtin vend?

Ogerta Manastirliu: Të punosh për vendin tënd është një privilegj, është një nder, është përgjegjësi e madhe kudo që të kërkohet angazhimi im, unë do të jem…

Blendi Fevziu: Të punosh për vendin jo vetëm ministre…

Ogerta Manastirliu: Unë flas të punosh për vendin. Nuk ka rëndësi ku je, por të punosh për vendin tënd dhe të bësh më të mirën që di për atë që të ngarkohet./tvklan.al