Të ftuar në studio: Pëllumb Pipero, Skënder Brataj, Barbara Doda, Orjola Pampuri dhe Enita Mema. Në lidhje direkte Roden Pajaj. Në lidhje direkte me Skype Albatros Rexhaj dhe Saimir Lako.

Blendi Fevziu apel qytetarëve: Koronavirusi nuk është shaka, shumë gjëra varen nga ju

Gjatë emisionit të kësaj të marte, moderatori i emisionit “Opinion” Blendi Fevziu lëshoi një apel të fortë ndaj qytetarëve pas situatës së krijuar nga koronavirusi. Ai u shpreh se koronavirusi nuk është shaka, sidomos për një vend si i joni.

Fevziu u shpreh se nuk varet gjithçka nga masat e qeverisë, por edhe nga ato gjëra që bën secili qytetar. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të ruajnë veten dhe të afërmit.

“Ajo që bën përshtypje ka një indiferencë në një pjesë të madhe të Shqipërisë, para se të filloj do doja që t’ju thoja qytetarëve, gazetarja jonë ka qenë në qendër të Tiranës për të parë që frekuentimi i bareve, restoranteve, ambienteve të rrezikshme urbanëve është më se normal për të mos thënë i shtuar për shkak të ndërprerjes së marrëdhënies së punës në disa zona. Nuk dua të përhap asnjë lloj paniku, por dua që t’i them çdo qytetari që nuk është shaka koronavirusi, nuk është një shaka kjo epidemi, nuk është një shaka sidomos në një vend si Shqipëria, i cili me çdo lloj përpjekje të bëjë nuk i ka mundësitë të bëjë si vendet e tjera. Po kthehet në një katastrofë për Italinë. Imagjino çfarë mund të ndodhë. Nuk varet asgjë nga masat e qeverisë. Shumë gjëra varen nga ju. Secili qytetar duhet të mbrojë veten, njerëzit e afërt në të kundërt rrezikojmë të shkojmë në një situatë të padëgjuar. Dëgjoja, sidomos shumë të moshuar që thonin ne s’na gjen gjë. Kjo krenaria që nuk iu gjen gjë mund të jetë një mburrje që mund ta fusim në sirtar për momentin. Ruajuni, ruajuni, ruajuni. Ruani veten dhe të afërmit tuaj”, tha Fevziu.

Të hënën qeveria vendosi mbylljen e shkollave si masë për parandalimin e koronavirusit.

Këtë të martë, Kryeministri Edi Rama paralajmëroi të tjera masa më të forta për shkak të indiferencës së qytetarëve. Kreu i qeverisë deklaroi se do të mbyllen pub-et, diskot, palestrat dhe mjediset e tjera ku mblidhen grumbuj njerëzish.

Deri më tani në vendin tonë janë konfirmuar 10 raste me koronavirus.

Koronavirusi, shkrimtari: I shqetësuar nga papërgjegjësia kolektive e qytetarëve

Shkrimtari Albatros Rexhaj duket i shqetësuar për situatën e krijuar nga koronavirusi.

Në një lidhje me Skype nga Prishtina për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Albatros Rexhaj thotë se qytetarët po tregohen të papërgjegjshëm me veprimet e tyre për situatën e koronavirusit.

Sipas tij, problemi qëndron tek brezi i madh në moshë, pasi nuk e konsiderojnë të vlefshëm informacionin që lexojnë në internet për atë çfarë po ndodh në botë. Ndërsa, për brezin e ri, Rexhaj shprehet se është i informuar edhe e ka marrë me seriozitet situatën e koronavirusit.

“Legjitime është që jam i shqetësuar edhe jam shumë shumë i shqetësuar me gjithë këtë zhvillim që është duke ndodhur. Më tepër jam i shqetësuar me këtë papërgjegjësinë kolektive që po e tregojmë. Po sillemi pothuajse sikur nuk po e shohim më botën, sikur nuk kemi internet sikur nuk kemi mundësi t’i ndjekim lajmet, t’i shohim përvojat e popujve të tjerë. Dhe sillemi akoma thuajse se jemi në një tullumbace të madhe.

Brezi më i ri e pranon informacionin nga jashtë, brezi më i madh e sheh si një propagandë në mënyrë të pandërgjegjshme. Edhe e refuzon atë materialin që vjen nga jashtë. Mendoj që është dhe konflikti i gjeneratave. Por që njerëzit duhet të jenë të shqetësuar, duhet të jenë të shqetësuar. Mjafton të shikojnë çfarë po ndodh në botë edhe aty janë të gjitha përgjigjet”, u shpreh shkrimtari Albatros Rexhaj.

Pipero jep detaje për rastin me koronavirus në Durrës

Nga 10 personat e prekur me COVID-19, 1 prej rasteve është një grua nga qyteti i Durrësit. Ajo ndodhet në spital atje. Mjeku infeksionit, Pëllumb Pipero, dha detaje rreth këtij rasti. Ai u shpreh se gruaja është mbi 65 vjeç dhe është një rast i rëndë pasi merr frymë me makineri.  

“Rasti i Durrësit është rast i rëndë. Është mbi 65 vjeç, është e intubuar, është me respiracion të drejtuar, me frymëmarrje të drejtuar. Ia japin frymëmarrjen me respirator”, tha Pipero.

Ai shtoi se po bëhet gjurmimi i personave që kanë pasur kontakt me të.

“Po bëhet gjurmimi epidemiologjik i të gjithë personave, të afërt, të largët sipas rrethit. Janë marrë tamponët dhe po hetohen. Unë besoj që personat që kanë kontaktuar edhe mes mjekëve do dalin raste pozitivë patjetër, por t’ia lemë kohës ta vërtetojë. Ne e dyshojmë fort, por nuk kemi fakte në dorë. Personeli shëndetësor atje ka qenë më i ekspozuari”, tha ai.

Pipero deklaroi se nëse mjekët dhe stafi mjekësor nuk kanë përdorur mjetet përkatëse me të infektuarën kanë bërë gabim.

“Në qoftë se personi ka pasur histori udhëtimi, është bërë gabim që nuk i është bërë analiza më shpejt. Nëse mjekët dhe stafi mjekësor janë ekspozuar pa veshjet mbrojtëse kanë bërë gabim. Rasti i Italisë na ka mësuar shumë. Kanë gabuar italianët që nuk kemi gabuar ne këtu, flas për Spitalin Infektiv, jo për këtë të Durrësit. Edhe në Itali diskutojnë pse rastin e parë nuk e kanë identifikuar. Në rastin zero në Itali është bërë gabimi fatal që është kthyer pse s’kishte histori udhëtimi”, tha Pipero.

“Kërko falje ose do çohesh nga studio”, sherr për koronavirusin në Opinion

Ish-deputetja e Partisë Demokratike Orjola Pampuri ka replikuar ashpër me drejtorin e Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan ku po diskutohej për situatën e koronavirusit.

Debati ishte fokusuar në kapacitetet që ka Shqipëria për të përballuar një situatë të rëndë nga koronavirusi.

Orjola Pampuri: Sa respiratorë ka sot Infektivi? 5 mjaftojnë?

Skënder Brataj: O zonjë mos i shtrembëroni turinjtë sepse në qoftë se nuk ju pëlqej, nuk duhet t’ju pëlqej juve.

Orjola Pampuri: Të lutem kërko falje për këtë që the. Për këtë fjalë kërko falje. Kërko falje përndryshe do çohesh ose ti ose unë nga studio. Për këtë kërko falje.

Skënder Brataj: Varet në dëshirën tuaj. Në momentin që unë flas nuk mundet të talleni.

Orjola Pampuri: Të lutem kërko falje. Ose nuk do të lë të flasësh më.

Debati për ambulancat, drejtori i urgjencës telefonatë nga studio: Sillini tek Klani

Emisioni “Opinion” është shoqëruar nga një debat mes ish-deputetes Oriola Pampuri dhe drejtorit të Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj. Sipas ish-deputetes nuk ka autoambulanca me aparatura respiratore, që janë të domosdoshme për transportimin e të infektuarve me koronavirus.

Por e menjëhershme ishte përgjigja e drejtorit të Urgjencës Kombëtare. Ai tha se ka ambulanca me aparatura respiratore. Për ta vërtetuar këtë, ai mori në telefon një nga punonjësit për të sjellë në ambientet e Tv Klan, një ambulancë me respiratorë për të vërtetuar që ka të tilla në urgjencë.

Blendi Fevziu: Oriola si është e vërteta ma thuaj ti?

Oriola Pampuri: Shqiptarët sot duhet të dinë që nuk ka autoambulanca me aparatura respiratore.

Skënder Brataj: Nuk është e vërtetë?

Oriola Pampuri: Ku i ke? Sa raste ke nga rrethet që kanë ardhur këtu.

Skënder Brataj: Ta sjell këtu.

Oriola Pampuri: Ti nuk ke ambulanca të sjellësh nga rrethet. Ti s’ke nëpër rrethe, s’ke respiratorë nëpër rrethe?

Skënder Brataj: Ta sjell edhe nga Korça.

Blendi Fevziu: Sille ambulancën tek dera, ta nxjerr unë kamerën.

Oriola Pampuri: spitali infektiv nuk duhet të jetë një spital ku duhet të miksohen pacientët, por duhet të jetë një spital vetëm për pacientët e koronavirusit.

Skënder Brataj: Nuk mund të hidhni poshtë çdo gjë që bëhet. (Pas nxjerr telefonin) Do të shkosh merr dhe Indritin dhe do të marrësh ambulancën me gjithë respiratorët dhe do ta sjellësh tek “Opinioni” tek Klani.

Blendi Fevziu: Sa ambulanca ka Shqipëria?

Oriola Pampuri: Ka në minimalen e mundshme.

Skënder Brataj: Nga kush po të vijnë informacionet…

Oriola Pampuri: Njerëzit të informohen, pajisja e stafit me masa mbrojtëse.

Skënder Brataj: Juve ju thonë, por nuk keni parë gjë.

Oriola Pampuri: Të gjitha këto, pajisja me staf mjekësor, sepse nuk mjafton ky që është.

Skënder Brataj: Ku e dini ju që nuk janë bërë këto gjëra.

U kërkua nga drejtori i urgjencës, ambulanca vjen në Tv Klan

Debati në studio mes drejtorit atë Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj dhe ish-deputetes Oriola Pampuri për ambulancat përfundoi me sjelljen e një prej tyre në ambientet e Tv Klan.

Oriola Pampuri deklaroi gjatë emisionit “Opinion” se nuk ka asnjë autoambulancë me aparate respiratorë, por Brataj e mohoi këtë duke thënë se janë 5 të tilla. Për ta vërtetuar ai mori në telefon gjatë kohës që ishte në studio livenëpunësit për të sjellë një ambulancë që të vërtetohej se në dispozicion të Urgjencës Kombëtare ka të tilla.

Ish-deputetja e sfidoi Bratajn që të shikojnë në spitalet e rretheve nëse ka të tilla ambulanca, ndërsa shfaqjen e njërës prej tyre gjatë emisionit “Opinion” e konsideroi si show.

Skënder Brataj: Kjo është ambulanca. Është këtu në oborr.

Oriola Pampuri: Ambulanca është lajmëruar në 22:50, tani është ora 23:20, i lajmëroi shefi dhe erdhi pas gati 30 minutash. Unë dua ta sfidoj këtë zotërinë, nga nesër unë dua, e them hapur, ne jemi grup monitorimi dhe në një situatë të tillë, qytetaria të shtyn të jesh bashkëpunues. Të gjitha ato denoncime i kemi bërë për të ardhur në ndihmë të stafit të mjekëve.

Skënder Brataj: Është ambulanca që është këtu në oborr me respiratorë.

Oriola Pampuri: Grupi ynë do të shkojë dhe do të shikojë çdo rast., nga Kukësi, Tropoja, nga Vlora, nga Peshkoppi, e kanë një të tillë për të transportuar nga atje këtu se ambulanca për show ka plot.

Skënder Brataj: Zonjë janë 5 respiratorë tani aty. Më akuzuar që nuk kemi, shihi janë 5.

Blendi Fevziu: Çfarë na duhen këto, ne po na vdes njeriu në Durrës mos u merrni me llafe kot.

Ndërkohë një punonjës i ambulancës tregoi se cilat janë pajisjet në ambulancë.

“Kjo është ambulanca me të gjitha ato që u thanë në emision. Respiratori është ky këtu, siç e shikoni është funksional në 5 ambulancat. Ky është defribilatori, aspiratori dhe frigoriferi i ambulancës. Sistemi i oksigjenimi dhe barela”, tha ai.

Pacientja me koronavirus në Durrës, gazetarja: Kishte shkuar edhe në një varrim

Një grua në Durrës po mbahet në reanimacion pasi është konfirmuar se është prekur nga koronavirusi. Pacientja është në gjendje të rënduar.

Gazetarja e Tv Klan në Durrës, Enkelejda Arapi, në një lidhje telefonike për emisionin “Opinion”, ka thënë se pacientja nuk ka treguar fillimisht që ishte kthyer nga një udhëtim në Itali në zonat ku ka përhapje masive të virusit.

Gazetarja ka sqaruar gjithashtu se zona ka marrë pjesë edhe në një ceremoni mortore në Durrës pasi u kthye nga Italia.

“Përsa i përket pacientes së shtruar me koronavirus, është përkeqësuar situata e saj shëndetësore. Në fakt që prej ditës së djeshme ajo është futur në reanimacion, pasi gjendja e saj ishte tepër e rëndë dhe aktualisht vijon të jetë e rëndë. Analizat janë bërë vetëm një ditë më parë kur ka rezultuar pozitive.

Pacientja ndiqej vazhdimisht në spitalin e Durrësit pasi ishte një e sëmurë kronike. 5 ditë më parë që është paraqitur, ajo nuk i ka komunikuar mjekëve se kishte bërë një udhëtim në Itali në vendet e prekura me virusin. Një ditë më parë mjekët e kanë pyetur sërish dhe ajo i ka pohuar që po ka qenë në Itali.

Ka rëndim të situatës, por mjekët ende nuk i kanë hequr shpresat. Vazhdojnë ta mbajnë ende nën vëzhgim. Që prej ditës së djeshme vijon të mbahet në reanimacion.

Flitet që ajo është kthyer nga Italia 3 ditë më parë. Në momentin që ajo është kthyer nga Italia ka marrë pjesë në një ceremoni mortore në qytetin e Durrësit tek një i njohuri i vetë. Ndërsa më pas ka shfaqur probleme shëndetësore dhe është paraqitur në Spitalin e Durrësit”, është shprehur gazetarja Enkelejda Arapi. /tvklan.al