Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Ben Blushi ishte i ftuar në emisionin “Opinion Plus”, nga ku shpjegoi pse dha dorëheqjen pas zgjedhjes së nënkryetarit të Partisë Demokratike, Bamir Topi, në postin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Blushi u shpreh: “Unë e kam dhënë dorëheqjen ditën e premte në përfundim të votimit për Presidentin e Republikës për zotin Topi. Shkaku ishte pjesëmarrja në atë votim, kundër çdo lloj parashikimi timin dhe tonin në përgjithësi, të 6 deputetëve socialistë në zgjedhjen e zotit Topit president. Siguria e ditëve të fundit e zotit Topi dhe e mazhorancës në përgjithësi se do të mund ta kalonin raundin e katërt kishte filluar të ishte e bezdisshme për ne, për të mos thënë shqetësuese. Ne pamë radhët dhe nuk na rezultonte që mund të kishim deputetë socialistë që do të shkonin në atë raund. Diçka e çuditshme ka ndodhur. Koha do të ketë mundësinë të tregojë se çfarë ka ndodhur, kur 6 deputetë socialistë shkuan për të bërë President Republike një njeri që ne kishim 6 muaj që e refuzonim. Unë nuk e di se çfarë ka ndodhur dhe cilat janë motivet reale të 6 deputetëve socialistë. Ky është një shok që pata, padyshim politik dhe personal. Njerëz, me të cilët kam bashkëjetuar politikisht shumë vjet, kam ndarë dhe miqësi. Kur i shihja në televizor që shkonin një nga një për të votuar për Bamir Topin, ishte jashtë çdo lloj imagjinate sado të zhdërvjellët”.

Përjashtimin e 6 deputetëve nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, Ben Blushi e konsideron një gjest politik normal dhe të pritshëm.

“Grupi parlamentar i PS nuk është një gjykatë, ku thërriten njerëz, t’iu jepet mundësia të sqarohen dhe pastaj të apelohen. Ne kemi bërë një gjest politik, besoj normal dhe të pritshëm për t’u ndarë nga 6 deputetë që i dhanë një pushtet që nuk iduhet t’ia jepnin PD, që në fund të fundit është kundërshtarja jonë politike. Kjo është një gjë që nuk ndodh përditë në politikë, por unë nuk di të ketë raste të ngjashme në perëndim, Europë, ku deputetët e një partie të shkojnë të votojnë qeverinë apo presidentin kundërshtar”./tvklan.al