VMRO-DPMNE propozon rezolutë për identitetin kombëtar

VMRO-DPMNE-ja ditëve në vijim në Kuvend do të propozojë tekstin e propozim-rezolutës që definon, siç thonë nga opozita maqedonase, pozicionet shtetërore të Maqedonisë për euro integrimet, por gjithashtu edhe pozicionet lidhur me çfarëdo mohimi të identitetit gjuhësor, kulturor ose kombëtar maqedonas, për shkak se kjo është në kundërshtim të vlerave evropiane.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Miloshoski, vlerëson se Kuvendi është vendi i vërtetë ku në vend të polarizimit, forcat politike duhet të bashkohen dhe ta miratojnë Rezolutën e përbashkët.

“Rezoluta për çështje kombëtare miratohen në Bullgari, Gjermani, Slloveni, Rumani dhe në Itali. Përse Maqedonia të bëjë përjashtime dhe përse Qeveria nuk është gati që në Kuvend të hapim debatin dhe ta ndërtojmë konsensusin e gjerë rreth propozim-Rezolutës për linjat e kuqe maqedonase, e cila nëse miratohet në Kuvendin e Maqedonisë, nuk do të ndihmojë vetëm diplomacinë maqedonase dhe shoqërinë por edhe miqtë tanë në kuadër të BE-së. Për shkak se kjo propozim-Rezolutë bazohet në kartën e OKB-së dhe Konventës për të Drejta të Njeriut të Këshillit të Evropës në Strasburg”.

E nga LSDM-ja, menjëherë e bënë të qartë se nuk e kanë ndërmend që të përkrahin një rezolutë të tillë.

“Nëse Hristijan Mickoski dhe VMRO DPMNE janë të sigurt në identitetin e tyre, nuk e kanë patjetër që të dorëzojnë deklarata apo konkluzione në Kuvend. Gjuha maqedonase, identiteti maqedonas janë të konfirmuara ndërkombëtarisht dhe nuk ka nevojë për çfarëdo debati për këto çështje, e sidomos ky debat të bëhet në Kuvend”.

E opozita shqiptare ende nuk ka sjellë qëndrim se a do të përkrahin këtë rezolutë.

“Ne nuk kemi vendim definitiv se a do ta përkrahim atë rezolutë. Këto ditë do të ketë mbledhje kryesia qendrore e Aleancës për Shqiptarët së bashku me Alternativën. Me siguri do ta sjellim vendimin përfundimtar dhe deputetët tonë me siguri nesër ose pasnesër do ta tregojnë qëndrimin definitiv në ndonjë prej pres konferencave që do të mbahet në Kuvend”.  

Rezoluta që VMRO-DPMNE po planifikon ta dorëzojë në Kuvend përmban formulime me të cilat garantohet autenticiteti i gjuhës dhe identiteti maqedonas. Se a do ta përkrahin këtë dokument, ende nuk janë prononcuar nga BDI.

Klan Macedonia