Mesut Ozil ka nënshkruar një marrëveshje me klubin turk Fenerbahce ku do të kalojë falas nga Arsenali.

32-vjeçari do të qëndrojë 3 vite e gjysmë tek turqit e Fenerbahce. Ozil ka fituar 3 FA Cup me Arsenalin dhe ka shënuar 44 gola në 254 paraqitje.

Largimin nga Arsenal, 32-vjeçari e ka bërë të ditur përmes një letre të hapur.

“E kam të vështirë të them me fjalë dashurinë që unë ndjej për skuadrën dhe për tifozët. Si mund të përshkruaj 8 vite mirënjohje në një letër të vetme? Arsenal është një ekip i klansit të lartë, diçka që unë e ndjeja sa herë zbrisja në fushë. Lojtarët, stafi dhe menaxherët shkojnë e vijnë, por vlerat dhe tifozët do të qëndrojnë gjithmonë. Respekti dhe dinjiteti nuk duhet të harrohen kurrë. Është përgjegjësi e çdo personi në skuadër që të bëjë punën në emër të parimeve dhe këtyre vlerave”, ka thënë ndër të tjera Ozil në letrën drejtuar tifozëve.

Mesut Ozil u transferua nga Real Madrid tek Arsenal në vitin 2013 për shifrën e 42.4 milionë Paund, një vlerë rekord në atë kohë për klubin anglez. /tvklan.al