“Po katapultohet nga Rama në krye të Inspektoriatit të Drejtësisë”

Selia blu akuzoi sot Kryeministrin se po katapulton në krye të Inspektoriatit të Drejtësisë, Artur Metanin, vëllain e ish-ministres Eglantina Gjermeni.

Partia Demokratike thotë se kandidatura e tij nuk mund të kualifikohet.

“KED nën drejtimin e dyshes besnike Edi Rama Dvorani – Arta Marku, e gatshme për të plotësuar urdhrat e shefit të tyre Kryeministër, misioni i të cilit është të kapë çdo qelizë të organeve të reja të drejtësisë. Kualifikimi i Artur Metanit nga KED si një nga kandidatët kryesorë për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është në kundërshtim me Kushtetutën. Ai ka mbajtur funksionin e Këshilltarit Juridik të Presidentit të Republikës, në periudhën Maj 2002-Korrik 2012. Metani, aktualisht mban postin Avokat të Shtetit, i emëruar këtu direkt nga Kryeministri Rama. Ai është gjithashtu edhe vëllai i deputetes dhe ish-ministres socialiste, Eglantina Gjermeni. E pra në keto vënde Edi Rama nuk cakton pa dhënë prova të forta besnikërie”, tha Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Çlirim Gjata.

Tv Klan