Basha: Sjellim ndryshimin me plan konkret e jo premtime boshe

Pas marrëveshjeve me të vegjlit, demokratët finalizuan zyrtarisht marrëveshjen për bashkëpunim para dhe pas zgjedhor me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Dokumenti 13 pikësh që u firmos nga dy kryetarët e partive do të ketë slogan “Shqipëria, shtëpia që fiton”, në të cilin palët angazhohen të konkurrojnë në zgjedhje me dy lista, për të realizuar një përfaqësim të plotë, sa më gjithëpërfshirës politiko-elektoral dhe kurorëzimin e fitores së opozitës në betejën e 25 Prillit.

“Në emrin tim, të Partisë Demokratike dhe të koalicionit tonë angazhohem se nuk do të ju zhgënjej. Se do të punojmë së bashku duke bashkuar të gjitha forcat për të sjellë një të ardhme të re dhe të mirë për çdo shqiptar. Udhëtimi i përbashkët për të ndryshuar Shqipërinë fillon sot”.

I bindur se ndryshimi do të vijë nga vota popullore e shqiptarëve, Basha tha se çelësi i fitores së opozitës do të jetë tek puna në terren me qytetarët.

“Të shkojmë shtëpi më shtëpi, rrugë më rrugë, fshat më fshat, qytet më qytet, dhe të garantojmë fitoren e 25 Prillit, fitoren e zgjedhjeve me anë të së cilës do të fitojë Shqipëria, do të fitojnë familjet tuaja dhe e ardhmja e fëmijëve tanë.”

PD e LSI angazhohen që të respektojnë shtyllat themelore programore të të dy partive në qeverisjen e ardhshme. Sipas marrëveshjes, përfaqësimi në të gjithë nivelet e qeverisjes do të realizohet proporcionalisht mbi bazën e rezultatit zgjedhor.

Bazuar në dokumentin e firmosur, palët bien dakord që të kenë vendimmarrje unanime për disa çështje, mes të cilave nxjerrjen e vendit nga kriza e rëndë ekonomike, hapja e negociatave me BE, rivendosja e shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit.

Një tjetër pikë e marrëveshjes është edhe ndërtimi i një aksioni qeveritar për të frenuar shpopullimin masiv. Palët angazhohen të kenë prioritet punësimin e mirë paguar, arsim cilësor, përfaqësim të gruas në vendimmarrje, luftë pa kompromis kundër krimit e korrupsionit, dhënien zgjidhje në mënyrë prioritare të problemit të rindërtimit dhe çështjes së pandemisë.

Tv Klan