Ish-presidenti: Do i bashkohem çdo zëri që kërkon largimin e tij, nuk është më alternativë

Kryetari i Këshilit Kombëtar i Partisë Demokratike, Bujar Nishani thotë se qëndrimi i Lulzim Bashës në krye të kësaj force politke i shërben qeverisë socialiste.

Në një intervistë për “Klan News”, ish-presidenti ka treguar arsyet përse kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Bashës nga drejtimi i PD.

“Duhet një proces për të rigjeneruar forcat e saj, për të rigrupuar forcat e saj. Për të bashkuar forcat e saj, të cilat sot janë më të përçara se kurrë më parë. Ky proces mbahet i bllokuar nga Basha i cili duke përdorur autoritetin e kryetarit, duhet të tregojë qytetari, duhet të demostrojë kulturë europiane, duhet të demostrojë përgjegjshmëri me aktin e largimit nga kreu i PD. Vazhdon të qëndrojë në krye të PD-së pa asnjë llojë të drejte morale”, u shpreh Nishani.

Nishani thotë se do i bashkohet çdo proteste apo zëri kritik ndaj Lulzim Bashës.

“Pa dyshim që çdo energji pozitive që i funksionon dhe i shërben asaj ideje që kam unë, asaj kauze që unë i besoj, që do të thotë është shëndeti i PD-së, forca, ringrintja e PD-së, unë do të jep mbështetës i çdo zëri të tillë. Çdo tentativë dhe çdo investim për të ruajtur statukuonë e kësaj situate në Partinë Demokratike është një shërbim që i bëhet vijimësisë së një qeverisje të korruptuar dhe një qeverisje që ka marrë peng një vend të tërë, siç është qeverisja e Edi Ramës. Unë dhe çdo njeri tjetër që do ta dëshirojë këtë, do të jemi në terren dhe kontakte të përditshme me anëtarë të Partisë Demokratike nga Vermoshi në Konispol”, tha Nishani.

Ish-presidenti thotë se kryedemokrati i kishte garantuar se do t’i fitonin këto zgjedhje.

“Ne nuk mendonim humbjen. Nuk kam qenë i parapërgatitur për humbje. Të gjithë besonim që do të kishim fitore sepse edhe garancitë ishin dhënë të tilla. Ishte një garanci që na ishte dhënë nga kryetari dhe projekti i tij ishte që do të fitonim dhe s’do të ketë asnjë tentativë manipulimi që do të aplikonte Rama dhe ta zhbënte fitoren”, theksoi Nishani.

Basha ka qenë në qendër të sulmeve të demokratëve pas humbjes në zgjedhjet e 25 Prillit. Zyrtarë të PD dhe mbështetës të kësaj force politike kanë protestuar para selisë blu duke kërkuar mbledhjen e Këshillit Kombëtar dhe largimin e kryetarit të partisë.

Klan News