“Fëmijët kanë risk minimal dhe mësuesit shumica janë vaksinuar. Ministria të rishikojë vendimin”

Prindërit e nxënësve kanë nisur një peticion online kundër mësimit me turne dhe orëve të reduktuara.  Janë nënshkruar më shumë se 2 mijë firma në dy ditë që peticioni është nisur. Nëpërmjet kësaj nisme prindërit i bëjnë thirrje Ministrisë së Arsimit të rishikojë vendimin dhe mësimi në shkollat t’i kthehen edhe normalitetit.

Fëmijët kanë nevojë t’i kthehen normalitetit. Mësimi me turne dhe orar të shkurtuar nuk është i përshtatshëm për edukimin e vazhdueshëm. Ky proces nuk ka rezultuar efektiv dhe është vit i tretë që po aplikohet duke shkaktuar lodhje te fëmijët dhe mësuesit”. 

Ndërkohë që në gjithë fushat e tjera, jeta vazhdon normalisht, përse duhet të aplikohen masa të shtuara vetëm në shkolla? Fëmijët kanë risk minimal dhe mësuesit shumica janë imunizuar ose vaksinuar”, shkruhet në peticionin e iniciuar nga prindërit.

Pas më shumë se dy javësh shtyrje, viti i ri shkollor do të nisë më 27 Shtator, por në shumicën e shkollave, me përjashtim në shkollat në zonat rurale ku ka pak nxënës, mësimi do të jetë me turne dhe me orë të reduktuara 30 minuta.

Në kryeqytet do të ketë shkolla që do të bëjnë mësim edhe me katër turne, duke rikthyer “shkollat e natës”.

Klan News