Zgjedhjet e 25 Prillit të qeta, rekomandimet të plotësohen

OSBE-ODIHR ka publikuar raportin final për zgjedhjet e 25 prillit. Sipas raportit, zgjedhësit patën mundësi të zgjidhnin mes kandidatëve, të cilët mundën të bënin fushatë në mënyrë të lirë dhe në kushtet e një kuadri ligjor që respekton liritë themelore.

Sipas raportit partia qeverisëse mori avantazhe të konsiderueshme nga të qenit në pushtet, duke përfshirë përmes kontrollit të administratës lokale dhe nga shpërdorimi i burimeve të administratës publike. Vëzhguesit theksojnë se kjo u amplifikua përmes mbulimit pozitiv të institucioneve shtetërore në media.

Në raport thuhet se pretendimet për shitblerje votash qenë të vazhdueshme gjatë fushatës dhe nisi një numër i madh hetimesh. Në numrin e kufizuar të qendrave të votimit dhe të vendeve të numërimit që u vëzhguan, procesi qe kryesisht transparent dhe i qetë.

Sipas raportit megjithëse ndryshimet e Korrikut të vitit 2020 në Kodin Zgjedhor bazoheshin në një konsensus të gjerë politik dhe vinin pas një procesi gjithëpërfshirës konsultimi, ndryshimet e mëtejshme kushtetuese dhe zgjedhore të tetorit 2020 nuk u paraprinë nga konsultimet e duhura me aktorët.

Edhe pse një sërë rekomandimesh të ODIHR-it dhe të Këshillit të Evropës u adresuan gjatë reformës zgjedhore, disa rekomandime mbeten ende të pa adresuara.

Klan News