Krijohet Agjencia e Kontrollit dhe Monitorimit, nuk lejohet më shumë se 150 ha në rang kombëtar

Kanabisi mjekësor dhe industrial në Shqipëri do të kultivohet në sera. Kështu përcakton drafti tashmë i hartuar nga Ministria e Shëndetësisë pasi u përkrah si nismë nga 61% e shqiptarëve që u pyetën në Këshillimin Kombëtar.

Licenca e prodhimit dhe përpunimit të kanabisit do të jetë e vlefshme deri në 15 vite me të drejtë rinovimi, në hapësira të mbuluara ose sera, në një sipërfaqe 5 deri në 10 hektarë, ndërsa sipërfaqja në total në rang vendi nuk do ti kalojë 150 hektarët.  

Për kultivimin e kanabisit mjekësor dhe industrial do të krijohet Agjencia Kombëtare e Kontrollit dhe Monitorimit të Kultivimit dhe Përpunimit të Bimës së Kanabisit, e cila do të monitorojë të gjithë procesin në të gjitha hallkat, ndërsa leja do të miratohet nga Këshilli i Ministrave.

Drafti parashikon kritere të forta për kompanitë që do synojnë marrjen e licencave. Fillimisht do duhet të kenë eksperiencë, një kapital prej 10 milionë Lekësh, minimum 15 të punësuar dhe pagesën e një tarife vjetore, sa 1,5% e xhiros vjetore.

Kriteret për pajisjen me licencë

-Eksperiencë në kultivimin dhe prodhimin e kanabisit për qëllime mjekësore.

-Një kapital prej 100 milion lekësh.

-Minimumi 15 të punësuar.

-Pagesën e një tarife vjetore, sa 1.5 e xhiros vjetore.

Subjektet do të gjobiten me 5 milion Lekë gjobë në rast se reklamojnë prodhimin, dhe me 300 000 (treqindmijë) Lekë deri në 700 000 (shtatëqindmijë) nëse:

-Nuk dorëzon prodhimin e plotë brenda afatit 4-mujor.

-Nuk bën deklarim të saktë për sipërfaqet.

-Dorëzon prodhimin e plotë përtej afatit prej katër muaj pas mbarimit të korrjes.

Pas konsultimit publik, draftet i kalojnë Parlamentit për diskutim dhe votim.

Klan News