“Ballkani i Hapur” do të zbatohet që nga Janari 2022” 

Kryeministri Rama paralajmëron se procesi i zgjerimit për vendet e Ballkanit mund bllokohet për shkak të probleme të brendshëm të vetë vendeve të unionit. Ndaj në një editorial në Politico.eu, ai kërkon që mos të vazhdojnë të rrinë në pritje që Ballkani të integrohet në BE, por të vijë kjo e fundit në këtë rajon dhe të ndihmojë me projekte konkrete.

“BE -ja duhet të pranojë se po humb fytyrën me mbrojtësit e saj më të fortë, ndërsa përparimi ynë drejt anëtarësimit bllokohet nga vetëm një veto e çuditshme e kolateralit – Bullgaria. Por nëse Ballkani Perëndimor nuk mund të vijë në BE, ndoshta BE -ja mund të vijë në Ballkanin Perëndimor. Ka hapa konkretë që mund të ndërmerren menjëherë. BE-ja mund të krijojë mekanizma bashkëpunimi që vendosin në mënyrë efikase disa nga përfitimet e dyanshme të anëtarësimit, pa ngritur indinjatën e atyre që kundërshtojnë pranimin tonë.

Kryeministri shqiptar jep dhe alternativat se ku mund te fokusohet kjo mbështetje, e cila sipas tij, mund të jetë jo thjeshtë ekonomike, por dhe një mbështetje politike për nismën Ballkani i Hapur.

BE-ja mund ta mbështesë rajonin ekonomikisht nëpërmjet Planit të saj Ekonomik dhe Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Të na ndihmojë të ruajmë mendjet tona më të ndritura me programe të përbashkëta të arsimit të lartë. Vendet e Ballkanit Perëndimor mund të përfshihen gjithashtu në planet emergjente të BE-së, pasi së bashku po përballemi me një krizë potencialisht shkatërruese energjetike. Së fundi, BE-ja mund të ndërmarrë hapa praktikë, në mënyrë që të mund të zbatojmë më shpejt katër liritë e BE-së –në tre vendet tona, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Kjo është diçka që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të duhet të bëjnë nëse ne do t’i bashkohemi tregut të vetëm dhe Banka Botërore ka thënë se duke bërë këtë mund të shtojë deri në 10 përqind të PBB-së së secilit prej vendeve tona”.

Rama e sheh këtë mbështetje të BE, por dhe SHBA dhe Britanisë si jetike për të ardhmen e rajonin të Ballkanit që pret me dekada të konkretizohet anëtarësimi në union, që po ecën përmes proceseve që zvarriten.

Tv Klan