Ali Ahmeti: Fitore për gjithë shqiptarët

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut me procedurë të shkurtuar ka miratuar ligjin për konstatimin e interesit publik dhe nominimin e partnerit strategjik për implementimin e projektit për ndërtimin e Korridorit 8.

Me këtë hapet rruga për ndërtimin e shpejtë dhe efikas të autostradës që lidh qytetet shqiptare prej Kumanove e deri në Strugë me Shqipërinë.

Miratimin e ligjit e kanë përshëndetur edhe krerët e partive politike shqiptare. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, një nga mbështetësit më të mëdhenj të këtij projekti, ka shkruar në rrjetet sociale se kjo është fitorja e radhës e shqiptarëve. 

Edhe një punë e madhe, fort e mirë dhe tepër e rëndësishme po bëhet. U miratua edhe ligji për Korridorin 8. Mbarësi”, ka shkruar në Facebook kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.

Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi ka shkruar në faqen e tij zyrtare në Facebook se autostrada nga Bllaca deri në Qafë Thanë po bëhet më afër se kurrë.

“Guximi për të besuar realizon çdo ëndërr. Pak njerëz besuan, shumë të tjerë e ëndërronin, disa guxuan. Autostrada nga Bllaca gjer në Qafë Thanë më afër se kurrë, bashkë edhe me Korridorin 10-D,” shkruan Grubi.

Ligji duhet të mundësojë realizimin e Memorandumit që e kanë nënshkruar Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe kompania “Behtel dhe Enka” si investitor strategjik për ndërtimin e austostradave Tetovë-Gostivar, Strugë – Qafë Thanë si dhe Prilep – Manastir.

Tv Klan