Kushi: Universitetet në varësi të situatës

Që prej fillimit të vitit shkollor afro 500 mësues janë përdorur për zëvendësimin e atyre që janë infektuar apo karantinuar për shkak të Covid. Në një intervistë për Tv Klan, Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, tha se nga 1 mijë mësues që janë vënë në dispozcion për zëvendësimin e arsimtarëve të karantinuar në sistemin parauniversitar, afro gjysma e tyre janë angazhuar në mësimdhënie.

“Çdo ditë na vijnë në kohë reale numri i mësuesve të infektuar, i nxënësve të infektuar, i mësuesve të karantinuar e po ashtu edhe i mësuesve që po kthehen. Më pak se gjysma, për 1 mijë mësues shtesë.”

Janë 215 gjimnaze në 10 bashki të vendit ku mësimi do të zhvillohet online për javë. Sipas ministres Kushi, ky vendim u mor edhe nga fakti i rritjes në infektimeve në grupmoshën 15-18 vjeç.

“Ky ishte një vendim që u mor nga ekspertët. Janë 215 shkolla të mesme në 10 bashki ku situata e pandemisë është më e rënduar se zonat e tjera. Janë rreth 57 mijë nxënës në këto shkolla”.

Ministrja thotë se për universitetet do të veprohet në varësi të situatës së infektimeve ndaj nuk ka asnjë datë se kur ata do të kthehen në auditore.

“Me ardhjen e vaksinës dhe ndoshta ndryshimin e stinës ndoshta mund të kemi një përmirësim të situatës, por ky nuk është një vendim që mund ta marrim në këto momente”.

Ministria e Arsimit ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar edhe për ciklin 9-vjeçar, nëse do të rikthehet në skenarin e tretë të mësimdhënies, ashtu si gjimnazet. Por nëse situata vijon të paraqitet me shifra të larta infektimesh, Kushi thotë se do të jetë komiteti teknik i ekspertëve që do të japë një vendin vendim final.

Tv Klan