Lojërat Olimpike të vitit 2016 u mbajtën në Rio de Janeiro të Brazilit, pasi guvernatori i asaj kohe, Sergio Cabral, kishte paguar 2mln euro ryshfet për të fituar të drejtën e organizimit. E ka rrëfyer vetë ish-guvernatori përpara një gjykate.

Ai ka pranuar se paratë i kanë shkuar ish-presidentit të Federatës Ndërkombëtare të Atletikës, Lamine Diack, i cili kishte premtuar fillimisht se do të siguronte 6 vota pro kandidaturës së Rios në votimin që u bë në vitin 2009 ku garonin Madridi, Chikago dhe Tokyo.

Të përfshirë në dhënien e ryshfetit janë edhe ish-presidenti i komitetit olimpik të Brazilit, si dhe një biznesmen. Por sipas ish-guvernatorit të Rios, në dijeni ishin edhe prefekti i qytetit, si dhe vetë presidenti Lula. Këta të fundit nuk kanë bërë asnjë veprim për të marrë pjesë në këtë ngjarje.

Brazilianët kishin marrë garanci për suksesin që do të kishin, pasi ish-presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Atletikes, Lamine Diack njihej në rrethet sportive se në çdo rast votimi kishte marrë para për 4 deri në 6 vota.

Gjykata në Brazil e kishte dënuar ish-guvernatorin me afërsisht 200 vite burgim për disa raste korrupsioni. Tashmë ai ka nisur të flasë duke zbuluar bashkëpunëtorët.

Tv Klan