Mbetet i lartë numri i të shtruarve në spitale

Shqipëria regjistroi këtë të shtunë një numër të lartë viktimash për shkak të Covid-19. Autoritetet shëndetësore njoftuan sërish për 21 jetë të humbura, që është edhe numri më i lartë i viktimave që nga përkeqësimi i situatës së pandemisë.

9 qytetarë ishin nga Tirana, 2 qytetarë nga Fieri, të tjerët nga Kavaja, Vlora, Berati, Shkodra, Durrësi, Kolonja, Dibra, Korça, Elbasani dhe Bulqiza. Mes tyre është edhe një në moshën 22-vjeçare.

Situata vijon të mbetet shqetësuese edhe për shkak të ngarkesës që kanë spitalet Covid dhe ato rajonale. Ministria e Shëndetësisë raportoi për 639 pacientë të shtruar, 35 në terapi intensive, nga të cilët shtatë janë të intubuar.

Në 3308 testime të 24 orëve të fundit rezultuan pozitivë 777 qytetarë. Harta e përhapjes së virusit është e shtrirë në gjithë vendin, por Tirana vijon të jetë vatra më e madhe e pandemisë me 320 raste, e ndjekur nga Durrësi me 50, Berati me 41 dhe Shkodra me 40.

Autoritetet shëndetësore bëjnë të ditur se gjatë ditës së shtunë u kryen 1110 vaksinime të tjera, duke e çuar në 19,357 numrin total të të vaksinuarve.

Tv Klan