Sulme kundër policisë pas plagosjes së Jacob Blake

Për të dytën natë me radhë, qyteti i Kenosha-s në Wisconsin të Shteteve të Bashkuara ka qenë në flakë.

Protestuesit anti-racizëm vijuan përleshjet dhe sulmet ndaj policisë, pas ngjarjes së të dielës ku një afro-amerikan u plagos rëndë me 7 plumba nga policia në sy të fëmijëve dhe bashkëshortes.

Në ndihmë të policisë lokale u thirrën edhe 200 efektivë të njësive speciale të gardës kombëtare. Manifestuesit akuzuan policinë për racizëm dhe dhunë të tepruar, pasi Jacob Blake ishte i paarmatosur dhe nuk përbënte kërcënim për efektivët.

“Gjithmonë na kërkojnë të ngremë duart lartë, por kjo s’vlen pasi gjithnjë na qëllojnë, njëlloj si ai djali i ri. Ai ndodhet në spital sepse policia ushtron gjithnjë forcë të tepruar”, tha një protestues.

29-vjeçari Jacob Blake ndodhet aktualisht në spital jashtë rrezikut për jetën ku po kurohet për plagët e marra 7 plumbat e policëve. Rastet kur policët nuk i kanë kursyer plumbat ndaj afro-amerikanëve janë të shumta, para dhe pas vrasjes së George Floyd-it në maj në Minesota, ngjarja kulmore që shënoi nisjen e revoltave popullore dhe që nxitën reflektim mbi trajtimin e këtij komuniteti nga policia amerikane.

Tv Klan