Situatë problematike në Belgjikë, Rusi e Poloni

Vijojnë të rriten shifrat e infektimeve nga koronavirusi në gjithë botë. Në Gjermani në 24 orët e fundit u regjistruan 14.714 raste të infektuarish, numri më i lartë ky i të prekurve që nga shfaqja e pandemisë.

Por pavarësisht se është në mesin e shteteve evropiane me numrin më të lartë të personave të infektuar, numri total i personave që nuk e kanë fituar betejën me virusin, në Gjermani deri më tani është më i ulët se Britania e Madhe, Franca, Italia e Spanja, me 10.003 viktima.

Kancelarja Angela Merkel ka vijuar me apelin e saj që qytetarët të ruajnë sa më shumë distancimin social dhe të respektojnë masat anti-covid për të përballuar përhapjen e pandemisë.

Rritjen e infektimeve po e vuan edhe Belgjika, e cila në 24 orët e fundit ka shënuar 17.568 raste të reja.

Shifrat e larta kanë çuar në anulimin e të gjitha operacioneve dhe konsultave joemergjente nëpër spitale, duke rritur shqetësimin për shtimin e vdekjeve nga sëmundje të tjera.

Në listën e shteteve me numër të lartë infektimesh është edhe Rusia me 16 mijë e 521 raste dhe Polonia  e cila regjistruar 13 mijë e 628 testime pozitive, mes të cilëve edhe Presidenti Andrzej Duda.

Situata është përkeqësuar ndjeshëm edhe përtej Atlantikut, ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 24 orët e fundit kanë regjistruar një rekord me 83.948 raste të reja.

Deri më tani, në SHBA janë regjistruar në total rreth 8.5 milionë persona të infektuar 224.000 të vdekur.

Në gjithë botën aktualisht numërohen 42,577,485 raste infektimesh dhe 1,150,681 viktima.

Tv Klan